Tiranë, 5 tetor 2011, NOA – Pesë ditë nga nisja e Censusit të Popullsisë dhe Banesave Instituti i Statistikave deklaroi se procesi po ecën në mënyrë të kënaqshme dhe se problemet e hasura janë të izoluara dhe nuk rrezikojnë standardet e regjistrimit. Në një konferencë për shtyp zëdhënësja e INSTAT, Vjollca Simoni theksoi se janë marrë të gjitha masat e nevojshme që Censusi të zhvillohet në mënyrë të drejtë dhe të ecë sipas parashikimeve. Simoni bëri me dije se deri më tani janë anketuar 21 përqind e banesave në të gjithë vendin. Duke nënvizuar se Censusi shërben për matjet statistikore të Popullsisë dhe Banesave, zëdhënësja e INSTAT-it i bëri thirrje qytetarëve dhe shtetasve të Shqipërisë të raportojnë çdo parregullsi. “Procesi po ecën mirë. Gjatë procesit kanë dalë probleme, por ato janë raste të izoluara dhe kemi marrë masat për një proces të drejtë. Censusi është matje statistikore që nuk ka të bëjë me regjistrin civil, pronat e banesat. Të dhënat e Censusit do të përdoren vetëm për qëllime statistikore”, vërejti zëdhënësja e INSTAT-it. mit/NOA