Bruksel, 5 tetor, NOA - Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani dhe Gjeorgjia duhet të hetojnë arsyet e paragjykimit të gjinisë së foshnjave para lindjes së tyre. Një fakt i tillë, përcaktohet në një rezolutë të posaçme të publikuar nga Këshilli i Evropës, ku këtyre vendeve, u kërkohet të ndalojnë me ligj zbulimin e gjinisë se fëmijës para lindjes, si një shkelje e të drejtave të femrave. Gjë që sipas KiE-së, në këto vende ka rritur ndjeshëm numrin e aborteve në raste të shtatzënive me pritshmëri vajze.
Duke theksuar se zgjedhja e seksit para lindjes ka arritur përmasa shqetësuese në Shqipëri, Armeni, Azerbajxhan dhe Gjeorgji, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (APKE) sot u kërkoi autoriteteve të këtyre këto vendeve për të marrë masa ndaj një fakti të tillë.
Ndërsa raporti gjinor mesatarisht arrin 105 djem me 100 vajza në Shqipëri, 112 djem për 100 vajza në Armeni dhe Azerbajxhan, e 111 djem për 100 vajza në Gjeorgji, rezoluta e miratuar, në bazë të raportit nga Doris Cung (Zvicër, SOC), u bën thirrje autoriteteve të këtyre vendeve për të "mbështetur trajnimin për stafin mjekësor mbi selektimin e gjinisë para lindjes dhe pasojat e tij të dëmshme". Por edhe të shtojnë përpjekjet e tyre për të rritur statusin e të grave në shoqëri.
“Qeveritë në fjalë duhet të mbledhin të dhëna të besueshme në lidhje me raportet e seksit në lindje, duke përfshirë fusha të ndryshme të një vendi të vetëm”, parashikon rezoluta.
Kuvendi u bëri thirrje të gjitha shteteve anëtare "për të futur legjislacionin përkatës me qëllim të ndalimit të selektimit të gjinisë në kontekstin e teknologjive të riprodhimit të asistuar dhe abortit ligjor, përveç kur është e arsyeshme për të shmangur një sëmundje serioze të trashëguar".
n.e/NOA