Tiranë, 5 tetor 2011, NOA – Ministri i brendshëm Bujar Nishani ka siguruar sot se policia e shtetit do të bashkëpunojë për zbardhjen e së vërtetës për akuzat e Dik Martit. “Lidhur me raportin e Dik Martit e sigurova kreun e EULEX se Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit do të ofrojnë bashkëpunimin e nevojshëm në mënyrë që një hetim i plotë nga autoritetet përkatëse të bëhet në mënyrë të tillë që qytetarët shqiptarë, por dhe i gjithë opinioni publik, dhe jo vetëm në Shqipëri, të kenë një informacion të saktë mbi këto hetime,-deklaroi Ministri Nishani pas një takimi me kreun e EULEX-it në Kosovë, Xavier Bout de Marnhac. Ata kanë nënshkruar sot në Ministrinë e Brendshme një marrëveshje teknike mbi bashkëpunimin policor me EULEX. “Për ne është e rëndësishme të punojmë për zbatimin në terren të marrëveshjes në dobi të forcimit të rendit e të sigurisë të qytetarëve të Shqipërisë e Kosovës dhe natyrisht edhe në dobi të rajonit,-u shpreh kreu i EULEX, Marnhac. Marrëveshja parashikon bashkëpunimin policor në fushën e kontrollit kufitar, luftës kundër trafiqeve të paligjshme e trafikut të qenieve njerëzore dhe për shkëmbimin e informacionit. a.q/NOA