Nga Sazan Guri Historia shkollore na ka mësuar se populli shqiptar, ashtu i vogël, por i drejtë, e ka çarë historinë me shpatë në dorë dhe se të tjerët nga jashtë e kanë mësyrë, pushtuar, përçarë dhe e kanë rrudhur në këtë farë territori dhe numri, sa që e bënë përjetë të vogël e të përulur. Por, kur mësojmë se ka popuj edhe më të vegjël, si Luksemburgu, Malta, Monako, Lihtenshtejni dhe, ndryshe nga ne, tregojnë dinjitet në përcaktimin e fateve të tyre kombëtare, tamam si një familje që nuk ka rëndësi me sa përbërës është, por ç’kod gjenetik trashëgon prej të parëve të saj. Shpesh vras mendjen se si ka mundësi që ky popull zotërues i Mesdheut, si në prona me lëndë drusore, nga erdhi dhe fjala “land”, dhe në tru, prej nga shpiku mjete bazë të bujqësisë (farë – me hedh farë – farm), të blegtorisë (gjizë – chies, mjel – mjele, qumësht), të peshkimit (barkë – varkë – diçka që mban si plaçkat e barkut) dhe në gjuhë, prej nga u pollën mitet e emrave të perëndive dhe gjuhët e ardhësve (grekë e romakë) të mijëvjeçarit të parë para lindjes së Krishtit, dhe në shkencë prej nga kishin dalë trekëndëshi 3, 4, 5 (i Pitagorës), ditët kalendarike, ndarjet vjetore etj. si këto, të rrudhet i fshehur në bjeshkët e nëmura të Bogës, ose në luginat kanionore të Salarisë apo të Kurveleshit, apo të Skraparit, apo të maleve të bregdetit. Dhe më bie ndër mend se si heleni i parë, ashtu larosh, ardhur nga Egjipti apo Fenikasi, formoi fillimisht një klub grek dhe hartoi një status si një shoqatë sot, ku thuhej se që të bëhesh anëtar duhej të plotësoje tri rregulla: të harroje nga ke ardhur, të mohoje fenë pagane dhe të flisje gjuhën e tyre që ishte në krijim e sipër. Dhe iu deshën sa? Treqind vjet, deri në kohën e Sokratit të madh, pellazgut apo birit të urtë të Athinës, që të kristalizohej gjuha dhe shteti helen, sepse gjeti asokohe plot faqezinj, si edhe sot, që e mbështetën në përqafimin e tri aksiomave bazë dhe mbasi mori çdo gjë të vyer prej tyre deri në emrat mitologjikë, emrat e perëndive, dy poemat e mëdha me fabul tipike pellazge (krahasoni gjakmarrjen e Akilit për Patroklin apo takijen e Uliksit apo bohçet dhe fustanellat e kalorësve, si trojanë dhe akej apo danej – njësoj si në Gegëri sot), emrat e katundeve, duke iu vënë ose nga një parashtesë, ose prapashtesë, ose nga një emër çiban përsipër, dhe më në fund i quajti këta barbarë ose të huaj – pra, troç, nuk më duheni më. Po kështu dhe romaku, pas viteve 168-167 para Krishtit, me pushtimin e Ilirisë dhe përfundimisht të Maqedonisë, i cili, pasi i dogji dhe gurët e shtëpisë e të sokakut, i detyroi kuqezinjtë t’u drejtoheshin për herë të dytë maleve, si e vetmja shpresë për mbrojtje, ndërkohë që shumë syresh faqezinj iu bënë urë për pushtimin e gjatë. Po kështu dhe me bizantinët, që pasi digjnin çdo tjegull dhe sënduk shtëpie dhe nuk mjaftoheshin me aq, por këqyrnin se mos kishte shpëtuar ndonjë germë pellazge, ilire apo shqipçe pa u shkrumbuar sakaq, duke bërë që faqezinjtë të linin kombin pa nam e pa nishan, që bizantinët t’i bënin kuqezinjtë kurban. Po këta turqit, që tani po na thonë se paskan ardhur si vizitorë, pse nuk linin të gërmoje nën 60 cm ose të çelnin një abetare me shkronjëza pellazge, ilire apo shqipe! Sepse vazhdonte që kjo tokë të pillte faqezinj të tipit dumbaba, që mbasi i lyenin me mjaltë kuqezinjtë si Babdude Karbunarën që nëpër binca e Fer-e u mësonte fëmijëve beratas gjuhën e Zotit, u vinin shkrepësen ose i linin t’i hanin grerëzat. Shqipëria është ndrydhur, rrudhur e zvogëluar jo vetëm për shkak të barbarëve të huaj, siç na ka mësuar historia, por edhe për shkak të faqezinjve shqiptarë. Themi të huaj, sepse historia na ka dëftyer kërcitjen konstante të dhëmbëve që përsëriten si një spirale kërmilli në kohë. Vëreni me kujdes, si edhe sot, fqinji Jugor u kërkon ende shqiptarëve të pas viteve ’90 po ato tri gjëra të shenjta për ta: të ndryshojnë fenë nga kanë ardhur, të çrrënjosin emrin dhe të braktisin kombësinë. Autori i këtyre rreshtave është përballur me kësi rasti në vitin ‘97, por si stërnip frashnioti dhe bir kuqeziu, nuk ndërroi as fe, as emër dhe as komb. A keni dëgjuar për ca që vuajnë nga sëmundja e urisë, duke qenë se nuk kanë parë e pasur sofër për të mbushur barkun në fëmijëri? Që ata përsëri nuk ngopen edhe kur kanë të hanë në rini e pleqëri? Kështu dhe fqinjët tanë. Mbasi rrudhën protoilirët e Azisë së Vogël e të Mesdheut rrotull Jonit e Egjeut, mbasi ndrydhën ilirët në malet e Epirit e të Gegënisë, tani me censuse apo censura moderne po duan që me faqezinjtë ta shtrëngojnë edhe më, ta fusin nëpër luginat e bjeshkënisë. Ka të ngjarë që ky popull të jetë stisur për të ngjizur ngjarje, gjuhë, emblema, zvastika, rapsodi, epos etj., ndër popujt e kombet e tjera. Jo më kot, historikisht ka lëshuar ditëzinj si Ballaban Pasha, faqezinj si Esat Toptani e kuqezinj si rilindësit apo Kadaretë e sotëm. Dhe në këtë episod, sot, kur na kërkohet të votojmë etninë dhe besimin fetar, kurrë nuk do të trembesha se akshën faqezinjsh e ditëzinjsh po tradhtojnë vatanë. Kjo nuk është risi për Shqipërinë, sepse më mirë një grusht njerëzish si florinj, sesa një turmë mizash faqezinj. Regjistrimi po tregon se kuqezinjtë nuk po deklarojnë etninë si përgjigje ndaj moralit të tyre, ndërkohë që ujku matanë, në zonat minoritare dhe në ato të ashtuquajtura minoritare, po bën kërdinë. Dhe kur të vijë fundi, do na dalë Shqipëria vetëm me faqezinj. Kërkesa e Aleancës Kuq e Zi për të mos deklaruar etninë do të shkonte nëse sistemi ose pyetja për etninë do të ishte ndalur në rang kombëtar, se për besimin, ai mund edhe të tallavitet. Por, dije mor ti, o ditëzi, se fenë edhe mund ta ndërrosh, se në këtë rast herët a vonë do kesh punë me Zotin, ndërsa ti, o faqezi, që për një koromane tradhton të parët e tu, se herët a vonë do përballesh me ndëshkimin e fëmijëve të tu pa pronë e pa dhè. *Marrë nga gazeta Panorama
O kurrë, o tani! o faqezi, o kuqezi
-
Filtra Uji Aquaphor21:03 - 05 Tetor 2011Bravo per shkrimin ket mendim e ka c'do kuq e zi ne mendje dhe c'do faq e zi ne barke .