Tiranë, 5 tetor 2011, NOA – Pas një takimi afro dy orësh me Kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama, trojka e ambasadorëve ka ritheksuar mbështetjen ndaj politikës shqiptare dhe integrimit të vendit në BE. Menjëherë pas takimit me kryesocialistin Rama, në dalje të selisë rozë, ambasadori i OSBE-së Eugen Wollfarth deklaroi se axhenda e bisedës ishte situata politike në vend dhe pakti me dhjetë pika i Edi Ramës për Shqipërinë si Europa, për të cilin ambasadori i OSBE bëri me dije se kishin marrë edhe më shumë argumente nga lideri i opozitës. Ambasadori i OSBE-së theksoi se kryesocialisti Rama i kishte njohur në detaje me paktin, i cili përmban edhe propozim për dialog me mazhorancën. Në këtë suazë, ambasadori i OSBE-së vlerësoi me rëndësi propozimin për dialog me mazhorancën duke nënvizuar se kjo do të ishte një mënyrë tejet e mirë për të ecur përpara në rrugën e integrimit. “Ne jemi këtu për të mbështetur palët, për t’i ndihmuar që të ecin përpara, Mbetemi të gatshëm për të identifikuar pikat e përbashkëta në këto propozime”, tha Wollfarth, duke theksuar se bashkëpunimi duhet të nisë pa humbur kohë. Menjëherë pas tij, ambasadori i BE-së Ettore Sequi foli shkurt duke thënë vetëm një shprehje kuptimplotë në gjuhën shqipe, që tregon se hapat përdrejt Europës duhen hedhur të sigurt: “Gur gur bëhet mur”. Në vijim të deklaratës së trojkës, ambasadori i SHBA-ve Aleksandër Arvizu ritheksoi se “Ne mbështetim me gjithë zemër procesin e integrimit të Shqipërisë në BE”. Ky takim i trojkës së ambasadorëve me kryesocialistin Edi Rama vjen në një moment kyç për Shqipërinë, një javë nga publikimi i opinionit të KE-së për marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria, por edhe pak ditë pas ftesës së lidershipit socialist për një debat të hapur me kryeministrin Berisha. Kjo ftesë e cilësuar si e pavend nga zoti Berisha erdhi pasi refuzimit nga shefi i mazhorancës i tetë nga dhjetë pikat e paktit që Edi Rama i propozoi për një bashkëpunim me opozitën dhe një Shqipëri si Europa. Pikërisht këto dhjetë pika, ku flitet për bashkëpunimin për reformën zgjedhore, ndryshimin e rregullores së Kuvendit, Avokatin e Popullit, ligjet me 3/5 etj, ishin në qendër të takimit të trojkës me shefin e opozitës Edi Rama. Tetë pika të paktit të Ramës nuk kanë marrë ende pëlqimin e kryeministrit Berisha. mit/NOA
Në foto; Ambasadori i OSBE Eugen Wollfarth, Kryetari i PS-së Edi Rama, ambasadori i BE Ettore Sequi dhe ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu