English

Plan i ri veprimi mbi Emergjencat në Shkodër

E mërkurë, 5 tetor 2011, NOA- Një plan i ri veprimi do të nisë mbi emergjencat për Qeverinë Vendore në Shkodër. Kjo pasi Bashkëpunimi Zviceran dhe Qendra Rajonale e Mjedisit njoftuan planin e ri të veprimit për emergjencat dhe përgatitjen në rast fatkeqësish është gati për rajonin e Shkodrës. Mësohet se kjo ndërhyrje gjithashtu përfshin edhe ndërtimin e brezave mbrojtës përreth katër stacioneve të furnizimit me ujë. Gjatë një konference, Zyra e Bashkëpunimit Zviceran në Shqipëri dhe Qendra Rajonale e Mjedisit njoftuan përfundimin e një plan veprimi për emergjencat dhe përgatitjen në rast fatkeqësie i cili synon parandalimin dhe menaxhimin e rrezikut nga përmbytjet për rajonin e Shkodrës, ku përfitojnë rreth 86,000 qytetarë. “Unë besoj se kemi hedhur një hap të mirë përpara në përgatitjen për gjendjet e emergjencës, në forcimin e kapaciteteve të komunave dhe bashkive për përballimin e fatkeqësive, dhe në rritjen e ndërgjegjësimit të popullatës mbi rreziqet e mundshme dhe si të merremi me to”, tha Drejtoresha e Bashkëpunimit Zviceran, Isabel Perich. Ajo theksoi se, qeveritë vendore në Shkodër dhe Lezhë duhet të jenë në gjendje të ndërmarrin nisma dhe të menaxhojnë emergjencat në mënyrë sa më të pavarur. Sakaq, pjesë e projektit është gjithashtu një fushatë mbi ndërgjegjësimin e cila synon të informojë popullatën vendore mbi rreziqet dhe sit ë parandalohen dhe menaxhohen gjendjet në rast fatkeqësie. Folësit prezantuan një video dokumentar gjatë konferencës dhe njoftuan ngritjen e një faqeje interneti e cila jep informacion të dobishëm për publikun. Asistenca Zvicerane për projektin ishte mbi 80,000 € dhe përfshinte një mision vëzhgues i cili dha rekomandime për përmirësimin e cilësisë dhe vazhdimësisë së furnizimit me ujë të pijshëm si dhe për vendosjen e një plan veprimi për emergjencat. Ndërkaq në kuadrin e Strategjisë për Shqipërinë gjatë viteve 2010-2013, Zvicra jep rreth një të tretën e buxhetit dhe burimeve të alokuara për forcimin e qeverisë vendore, sundimin e ligjit dhe decentralizimin. Në këtë aktivitet i mbajtur në Shkodër ishin të pranishëm përfaqësues nga Zyra e Bashkëpunimit Zviceran në Shqipëri, Ministria e Mjedisit, Ministria e Brendshme, Qendra Rajonale e Mjedisit, dhe qeveria vendore dhe rajonale. a.y/NOA

KOMENTE