English

Politika në udhëkryq, trojka e ambasadorëve takon Edi Ramën

Tiranë, 5 shtator 2011, NOA – Situata politike në Shqipëri një javë para publikimit të progres-raportit të Komisionit Europian për marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria dhe zhvillimet më të fundit bënë që trojka e ambasadorëve në Tiranë t’i drejtohet rishtas selisë rozë. Tre ambasadorët, ambasadori i BE-së Ettore Sequi, i SHBA-ve Aleksandër Arvizu dhe i OSBE-së Eugen Wollfarth po zhvillojnë në këto momente një takim me Kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama. Ky takim është tejet i rëndësishëm për faktin se Shqipëria pret opinionin e KE-së për përmbushjen e 12 rekomandimeve të dhëna vitin e shkuar, rekomandime që të përkthyera në disa reforma kyç për vendin, kanë mbetur ende pezull. Situata politike në Tiranë në këto dy muaj të parë të vjeshtës nuk ka patur ndonjë bashkëpunim të dukshëm mes opozitës dhe mazhorancës, përveç rikthimit të opozitës në Kuvend. Nga Pakti për Shqipërinë i paraqitur nga kryesocialisti Edi Rama dy javë më parë mazhoranca duket se ka pranuar vetëm dy pika, atë për nisjen e bashkëpunimit për reformën zgjedhore dhe ndryshimin e rregullores së Kuvendit. Tetë pikat e tjera duket se nuk kanë gjetur pëlqimin e mazhorancës, e cila akuzon kryesocialistin Rama se po bëhet pengesë për ecjen e Shqipërisë drejt reformave integruese për shkak të interesave të ngushta. Por, e njëjta akuzë vjen edhe ndaj mazhorancës së drejtuar nga kryeministri Berisha. E, ndërsa edhe ftesa e Edi Ramës për një debat publik me Sali Berishën u refuzua nga kryeministri për shkak se tani është e pavend duke qenë se zgjedhjet parlamentare janë në vitin 2013, bashkëpunimi mes dy forcave kryesore politike në vend tashmë mbetet në udhëkryq. Por, koha nuk pret. Ndërhyrja e ambasadorëve duket të jetë pikërisht një gjasë e re për të nisur bashkëpunimin politik konstruktiv aq i domosdoshëm për demokracinë e brishtë shqiptare dhe integrimin e vendit në BE. mit/NOA

Në foto: Trojka e ambasadorëve, Ambasadori i BE, Ettore Sequi; Ambasadori i SHBA, Aleksandër Arvizu; Ambasadori i OSBE, Eugen Wollfarth

KOMENTE