Tiranë, 5 tetor 2011, NOA/ Albana Qehajaj – Partia Socialiste zbardh takimin me ambasadorët e Trojkës Europiane. Sipas njoftimit shpërndarë mediave, Trojka e ambasadorëve i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Kryetarit të PS Edi Rama për të bashkëbiseduar mbi Paktin për Shqipërinë si gjithë Europa. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Aleksandër Arvizu, Ambasadori i BE Etore Sekui e Ambasadori i OSBE Eugen Ëollfarth kanë ndarë së bashku për më shumë se dy orë qëndrimet e tyre me Kryetarin Rama lidhur me përshpejtimin e procesit integrues të vendit. “Trojka e ambasadorëve ka vlerësuar Paktin me 10 pika si një mundësi shumë të mirë për nisjen e dialogut në mënyrë që të shkohet para me procesin përafrues me BE-në”, thuhet në njoftimin për shtyp të PS-së. Pas takimit ndër të tjera Ambasadori i OSBE, Ëollfarth shprehu mbështetjen për një dialog eficent mes palëve nisur nga Pakti i ofruar nga lideri i opozitës: “ Ishte një takim shumë rezultativ. Bëhet fjalë për procesin që tashmë është në rrugë e sipër këtë vjeshtë. Ky proces duhet të ecë përpara. Janë bërë ndërkohë propozime të rëndësishme. Z. Edi Rama na dha informacion shtesë lidhur me propozimet e tij. Kjo ishte një listë e hapur, filluar me mënyrën e funksionimit të Kuvendit dhe Kodit Zgjedhor në të ardhmen, edhe çështje të tjera. Një nga pikat e rëndësishme është që bëhet fjalë për një listë të hapur dhe që ka propozim për të patur dialog me qeverinë. Propozimi për të patur bisedime me shumicën është i rëndësishëm dhe duhet marrë parasysh nga të gjitha palët e interesuara. Nëse kjo merret parasysh në kohën e duhur deri pranverën e ardhshme duhet të sjellë rezultatet e veta. Ne jemi, gjithashtu këtu, për të mbështetur palët e ndryshme, për t’i ndihmuar ata që të bëjnë përpara dhe OSBE mbetet e gatshme për të identifikuar pikat e përbashkëta, rrugën që do të bëhet për progres dhe sidomos kur vjen puna tek çështja e integrimit në BE.” Duke qenë në mbështetje të deklaratës së Ambasadorit të OSBE, Etore Sekui Ambasadori i BE iu referua vetëm një thënie të popullit tonë për të përkufizuar situatën politike dhe hapat integrues, pas takimit në zyrën e Kryetarit Rama: “Unë pajtohen plotësisht me deklaratën e ambasadorit Ëollfarth. Kam vetëm diçka për të shtuar, “Gur, gur bëhet mur”. Për të plotësuar interesin e medias Ambasadori i Shteteve të Bashkuara Aleksandër Arvizu ka ritheksuar mbështetjen e pakursyer të vendit të tij për afrimin e plotë të Shqipërisë me BE: “Unë mbështes plotësisht atë që sapo thanë dy kolegët. SHBA mbështet me gjithë zemër rrugën e integrimit të Shqipërisë në BE dhe ne do bëjmë gjithçka për ta mbështetur këtë.” Kryetari Rama, sipas njoftimit, në këtë takim shoqërohej edhe nga dy deputetët socialistë, Ditmir Bushati dhe Damian Gjiknuri. a.q/NOA