Durrës, 5 shtator 2011, NOA – Me akuzën e shmangies së detyrimit doganor janë ndaluar dy persona, njëri pronar dhe tjetra punonjëse e firmës Unitrans Albania. Dy të ndaluarit janë 40-vjeçari Çlirim Bregu, pronar dhe administrator i firmës Unitrans Albania dhe 30-vjeçarja Isilda Kipi ish-financiere në këtë firmë dhe e dënuar më parë për vjedhje me anë të shpërdorimit të detyrës. Të dy personat janë banues në Tiranë dhe u vunë nën akuzë pas një hetimi njëmujor. Në kuadër të këtij hetimi në 17 shtator u ndalua edhe Gjergji Kovaçi, i cili transportonte me automjetin e tij tip trajler mallra të ndryshëm nga ata që deklaronte me synimin për të shmangur detyrimet doganore. Gjatë kontrolleve në mjediset e zyrave dhe banesat e të ndaluarve u gjetën e sekuestruan dokumenta e praktika doganore të falsifikuara si dhe praktika të bardha doganore. Dy të ndaluarit janë nën akuzë për veprat penale të kontrabandës me mallra që paguhet akcizë dhe kontrabandës me mallra të tjerë në bashkëpunim. mit/NOA