Tiranë, 6 tetor 2011, NOA – Ambasadori i SHBA-së në Tiranë Aleksandër Arvizu ka deklaruar se 20 vjet pas rrëzimit të komunizmit Shqipëria ndodhet sërish në udhëkryq. Duke folur në në konferencë 20 vjet Shqipëri-SHBA, ambasadori Arvizu theksoi se Shqipëria sot ka nevojë për reforma të mëdha. "Është në duart tuaja, të shqiptarëve. I përket Shqipërisë ta përcaktojë të ardhmen dhe për këtë duhet të bëjmë zgjedhjet e drejta, në mënyrë që bashkërisht të shpiem përpara integrimin e Shqipërisë në BE", u shpreh Arvizu. Arvizu tha se mënyra më e mirë sesi mund ta nderojmë miqësinë tonë është të vazhdojmë përpara gjatë rrugës që shtruam në 1991-in. "Ajo rrugë udhëheq drejt një demokracie të gjallë dhe të patundshme, institucione të forta dhe të pavarura, një shtet ligjor i fortë dhe begati ekonomike. Ajo rrugë udhëheq drejt integrimit ku Shqipëria i bashkëngjitet vendit të saj të drejtë si anëtare e plotë e BE-së, për të punuar së bashku me SHBA-të dhe së bashku me vendet e tjera demokracidashëse dhe liridashëse, për të përkrahur parimet demokratike në mbarë rajonin dhe botën", shtoi Ambasadori i SHBA-ve. Ai theksoi se mënyra më e mirë për të forcuar miqësinë mes dy vendeve është që Shqipëria të vazhdojë përpara duke ndërtuar një shtet ligjor të drejtë, begati ekonomike, të ecë përpara në rrugën e integrimit europian pasi sipas tij Shqipëria nuk është ende në vendin ku meriton.
Topi: Politika të tregojë përgjegjësi
Kreu i shtetit Bamir Topi ka kërkuar sot nga faktori politik në vend që të tregojë kurajo dhe përgjegjësi, duke vendosur në krye axhendën qytetare mbi çdo axhendë tjetër. Në fjalën e tij në konferencën e organizuar për 20-vjetorin e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri, kreu I shtetit theksoi se vetëm duke vepruar me përgjegjësi politika do të vihet në funksion të qytetarit dhe do t`i shërbejë interesave të vendit. “Ne kemi një popullsi të re në moshë dhe ata meritojnë të dëgjohen dhe të respektohet vullneti i tyre. Sot Shqipëria është në NATO dhe aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Europian prandaj për ne kërkohet një sjellje e re në politikë” ka shtuar Topi. Sipas presidentit Topi politikanët shqiptarë shpeshherë përdorin retorika të cilat nuk janë në përputhje me standartet demokratike. Ai vuri në dukje se Shqipëria e konsideron SHBA-në një mik të madh dhe një partner strategjik për interesat e saj kombëtare. a.q/NOA