Tiranë, 6 tetor 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Kryeministri i vendit Sali Berisha u ndal sot në Vaqarr ku bëri inaugurimin e rrugës nacionale Vaqarr-Vishaj. Sipas kreut të qeverisë nëpërmjet kësaj rruge dhe rrugëve të tjera që do ndërtohen, po bëhet e mundur ndërtimi i unazës së Tiranës rurale, e cila sipas tij është Tirana e lagjeve më të privilegjuara, më të bukura të saj. Kryeministri Berisha i uroi banorët për rrugën e re, duke e cilësuar atë, si një vepër të rëndësishme infrastrukturore me një impakt direkt në jetën e qytetarëve të këtyre komunave. Ai i garantoi banorët e zonës se qeveria do të financojë çdo projekt, në mënyrë që këto lagje, të bukurat e Tiranës të marrin zhvillimin më të fuqishëm dhe në mënyrë që këto fshatra të shpalosin të gjithë potencialin e tyre prodhues dhe turistik. Në vijim një tjetër thirrje u drejtua ndaj qytetarëve ku u tha se, duhet shfrytëzuar çdo metër katror toke, e cila është e cilësisë më të lartë, në mënyrë që të bëhet çdo gjë për të rritur të ardhurat e çdo familje të kësaj zone dhe të çdo familje shqiptare. “Në çdo breg, në çdo ledh, në çdo shpat, në çdo kodër ne mund të mbjellim dru të mrekullueshëm frutorë. Ne sot jemi në zemër të Evropës, kemi tregun e pafund të saj. Unë ju garantoj ju se ulliri ka pothuaj një treg të përjetshëm të garantuar, se arrorët janë një treg i madh dhe i pakufishëm. Evropa importon çdo vit 2 milion ton arrorë nga vendet dhe kontinentet e tjera. Qeveria do tu mbështesë ju në këto projekte, siç kemi mbështetur qindra dhe mijëra hektarë që kemi mbështetur gjatë këtyre viteve. Shumë herë më tepër do të mbështesim gjatë viteve që vijnë”, u shpreh Berisha. Kryeministri ftoi autoritet lokale të zonës që të bëjnë gjithçka për të lehtësuar veprimtarinë e bizneseve, e cila do të ndikojë në uljen e papunësisë dhe rritjen e vazhdueshme të mirëqenies në familjet e këtyre komunave. Lidhur me akuzat e opozitës se qeveria merret me rrugë fshati ai u përgjigj se, “Shqipëria e zhvilluar, nuk mund të jetë Shqipëria metropolit të zhvilluar në Tiranë, dhe e mesjetës në zonat e tjera. Do të jetë e zhvilluar në çdo pëllëmbë të territorit të saj”. Segmenti Vaqarr-Vishaj shërben edhe si rruge lidhëse midis rrugës se Ndroqit dhe rrugës Tiranë – Elbasan. Gjithashtu ajo lidh komunat e kësaj zone, Vaqarin me Baldushkun, Farkën dhe së shpejti Pajovën dhe Peqinin, duke krijuar një rrjet unik tregu e prodhimi për kryeqytetin. Kjo rrugë ka një gjatësi prej 9 kilometrash dhe kap një vlerë investimi 159 milion lekë. a.y/NOA
Në foto: Kryeministri Berisha gjatë inagurimit të rrugës Vaqarr-Vishaj