Tiranë, 6 tetor 2011, NOA/ Albana Qehajaj – Në Kuvend ka nisur diskutimi për buxhetin faktik të vitit 2010, ndërsa ka patur polemika mes kryeministrit dhe deputetëve socialistë. Kryeministri Berisha ka deklaruar në fjalën e tij se qeveria ia doli të rrisë rrogat dhe pensionet pikërisht në kohën kur bota ishte zhytur në krizë. “ Fytyra e vërtetë e një qeverie është buxheti.Të gjithë ata që votojnë kundër këtij buxheti, votojnë kundër rritjes së pagave dhe pensioneve. Fondi për pensionet është 106 mln lekë dhe sot është e vërtetë se pensionistët në fshat marrin mbi 110% më shumë se 5 vjet më parë”, tha Berisha. Ai ka listuar një sërë reformash si dhe shifrash në drejtim të shpenzimeve të fondeve të buxhetit. “Qeveria para së gjithash dhe mbi të gjitha i shndërroi në para për portofolet e 810 mijë familjeve shqiptare. Në një kohë kur qeverive të tjera iu desh të fusin gërshërt në xhepat e qytetarëve të tyre, qeveria shqiptare derdhi një pjesë të mirë të buxhetit shqiptar për rritjen e rrogave dhe pensioneve” ka theksuar Berisha. Duke iu drejtuar deputetëve të majtë Berisha i akuzoi ata se nuk duan mirëqënien e shqiptarëve. “Do mbetet me germa të zeza në historinë e këtij Kuvendi, vota juaj kundër. Ju kundërshtuat edhe rrugën e Elbasanit, por harruat se do kalonit vetë në të. Por unë, ju garantoj sapo ta mbarojë tuneli, ju do të ngjisni Qafë Kërrabën nga inati i tunelit”, tha kreu i qeverisë.
Ruçi: Berisha kërkon llogari, ndërsa duhet t’i japë llogari shqiptarëve
Ka reaguar kreu i grupit kuvendor Gramoz Ruçi, i cili ka shigjetuar kryeministrin se në vend të shikojë problemet e qeverisë së tij drejton gishtin e fajit nga opozita. “Nuk ka kryeministër në botë që drejton gishtin te opozita, por opozitën që i drejton kryeministrit gishtin. Akoma pas 20 vjetësh, megjithëse përgjërohesh për demokracinë, nuk e ke kuptuar se ky sistem është i opozitës dhe t’i në vend të kërkosh llogari duhet të japësh llogari”, iu drejtua Ruçi kryeministrit. “Ç’ti themi në qytetarëve që u ke rritur thuajse dyfish vajin apo makaronat, apo pensionistëve që u ke rritur pensionet kur i ke rritur çdo produkt. Këtë duhet të bësh, të japësh llogari për qeverisjen tënde e jo të mbulosh korrupsionin galopant me ilaçet”, tha Ruçi gjatë replikës së tij me kryeministrin Berisha.
a.q/NOA