English

Greqia: Censusi shqiptar, minoriteti e bojkotoi se s’ka besim te shteti

Athinë, 6 tetor, NOA – “Regjistrimi i popullsisë në Shqipëri do të duhej të funksiononte si një instrument për funksionimin më të mirë të administratës publike shqiptare kundrejt qytetarëve të vet dhe për garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve që jetojnë në vend”.

Kështu deklaroi sot, në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve, zëdhënësi i ministrisë së jashtme greke, Gregoris Delavekuras.

Sipas tij, “vendimi i përfaqësuesve të grupeve të minoritetit, përfshirë minoritetin etnik grek për t'iu bërë thirrje pjesëtarëve të tyre për bojkot, në shenjë proteste se nuk garantohet respektimi i të drejtës së vetëpërcaktimit të lirë, tregon mungesë besimi të minoritetit ndaj shtetit shqiptar, çka duhet ta trajtojë menjëherë vetë qeveria shqiptare".

Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme greke, siç citohet nga agjencia greke e Lajmeve ANA, theksoi më tej se respektimi i të drejtave të minoritetit përbën kriter esencial të Bashkimit Evropian për procesin e integrimit.

“Greqia, - përfundoi Delavekuras, - ka investuar vazhdimisht për ndërtimin e marrëdhënieve të mira me Shqipërinë, duke e konsideruar si të mirëqenë respektin dhe mbrojtjen e minoritetit - urë miqësie midis të dy vendeve”.

n.e/NOA

Në foto: Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme Greke, Gregoris Delavekuras

KOMENTE