Problemi me votat fiktive dhe me mbushjet e kutive, që janë probleme reale që nga Ruzhdia dhe mjaft fenomene të tjera të vërejtura që të gjithë i dimë. Është momenti që Sali Berisha të thotë a është i gatshëm që këto probleme t’i adresojë së bashku me opozitën apo do vazhdojë të ngushtojë fokusin e reformës zgjedhore Nga Damian Gjiknuri Deputet i Partisë Socialiste Për ta bërë të qartë për publikun. Partia Socialiste u fut në një negocim shumë serioz me Partinë Demokratike për të ndërtuar një platformë mbi të cilën do të ngrihej Komisioni i Reformës Zgjedhore. Kjo platformë bazohej në tre shtylla themelore. Siç ishte koha, pasi koha është thelbësisht e rëndësishme për një reformë zgjedhore. Siç ishte mekanizmi i vendimmarrjes, nisur nga një premtim publik që nuk ka lënë rast kryeministri pa e bërë duke thënë “do pranoj çdo propozim të opozitës mjafton që të gjejë mbështetjen e OSBE/ODIHR ose të Komisionit të Venecias. Si dhe nisur nga fakti i çështjeve konkrete që kjo reformë do të trajtonte. Mirëpo, përtej atij deklarimi publik të përsëritur të kryeministrit se është i gatshëm për të bërë reformën me opozitën, kryeministri ka filluar të ngushtojë fokusin e reformës zgjedhore. Këtu qëndron dhe hileja e tij. Përditë ai nuk lë rast pa përmendur se është i gatshëm të adresojë 52 rekomandimet e OSBE/ODIHR, po asnjëherë nuk do të pranojë që zgjedhjet në Shqipëri kanë dhe probleme të cilat janë konstatuar në raportet e OSBE/ODIHR dhe që rekomandimet nuk kanë asnjë përgjigje. A nuk është ky kryeministër që në çdo rast publikisht ka thënë “ do pranoj çdo propozim të opozitës qoftë edhe për sistemin zgjedhor”, madje edhe dy javë më parë në emisionin e Fevziut tha “ patjetër, po e kërkoi opozita, do ta pranoj, mjafton që të certifikohet nga ODIHR dhe nga Komisioni i Venecias” paçka se kjo e fundit nuk ka certifikim se sistemi zgjedhor nuk është standard, sistemi zgjedhor është zgjedhje e çdo shteti. Partia Socialiste nuk e ka kusht reformën zgjedhore thjesht për sistemin zgjedhor, megjithatë nuk mund të mbajmë mbi kurriz koston e akuzave të kryeministrit sipas lojës së pistë të duarve të pastra, që fajin e ka PS ndaj partive të vogla, po vetë ai është i gatshëm të rishohë sistemin. I them këto për transparencë për publikun. Sistemi zgjedhor nuk mund ta kondicionojë reformën zgjedhore. I takon Sali Berishës të prononcohet qartë, nëse është për ndryshimin e sistemit zgjedhor apo prekjen e tij ose jo. Ta thotë tani, tani është momenti. Së dyti, reforma zgjedhore nuk mund të ngushtohet vetëm në një pjesë të rekomandimeve, por duhen parë problemet konkrete që janë shfaqur në dy zgjedhjet e fundit në raportet e ODIHR. Cilët janë këto probleme? Problemet me listat. Nuk ka rekomandim konkret se çfarë do të bëhet me listat e zgjedhësve. I takon politikës shqiptare ta adresojë këtë. Çdo bëhet me votën e emigrantëve. Dikur Berisha thoshte se ishte gati. Tani ka ndërruar mendje. I takon atij të thotë nëse është për ta trajtuar votën e emigrantëve ose jo. Tani është momenti. Është detyrë e komisionit të reformës zgjedhore. Problemi me votat fiktive dhe me mbushjet e kutive, që janë probleme reale që nga Ruzhdia dhe mjaft fenomene të tjera të vërejtura që të gjithë i dimë. Është momenti që Sali Berisha të thotë a është i gatshëm që këto probleme t’i adresojë së bashku me opozitën apo do vazhdojë të ngushtojë fokusin e reformës zgjedhore. Komuniteti ndërkombëtar duhet të marrë rolin e tij në këtë drejtim. Nuk mund t’i lihet reforma zgjedhore thjesht vullnetit të lëvizshëm të një kryeministri. Kuptohet ky kryeministër do regjimin e turbullt në fuqi, me të cilin ka manipuluar dy herë votën për të ndenjur në pushtet. Ka ardhur koha që ata ta thonë fjalën e tyre fort. Nga viti 2000 komuniteti ndërkombëtar për çështjet e zgjedhjeve ka qenë aktiv në Shqipëri. Ai duhet të imponojë të paktën një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, bazuar në ato garanci që ka dhënë qeveria e kryeministri kur ka thënë se do ta bëjë reformën zgjedhore me opozitën duke pranuar propozimet e saj kur ato certifikohen nga ODIHR ose nga Venecia dhe brenda një kuadri kohor të pranueshëm. Zgjedhjet e lira në Shqipëri s’duhet të jenë më një mision i pamundur. Kjo humbje kohe është zvarritje pikërisht për të shtyrë procesin e reformës zgjedhore në muajt e fundit, në mënyrë që ne të hyjmë në zgjedhje sërish me këtë regjim. Kjo është e papranueshme! Ky është një paralajmërim në kohë. Nuk mund të ketë zgjedhje të lira pa i adresuar problemet në kohë. Tani është momenti që Sali Berisha të shfaqi vullnetin e tij për reformën zgjedhore.