English

Kreditë, në pikë të hallit

Edhe pse likuiditeti bankar u përmirësua dukshëm, në krahasim me 2009-ën dhe bankat kane zbutur disi standardet e kredisë, aktiviteti kredidhënës ka mbetur më i ngadaltë se 3-4 vitet paraprirëse Nga Ridvan Bode Ministër i Financave Diskutimi rreth buxhetit faktik të vitit 2010, merr një rëndësi jo të zakonshme dhe meriton një reflektim më specifik, për vetë rrethanat e veçanta, të cilat kanë të bëjnë, së pari, me zhvillimet problematike në ekonominë globale e veçanërisht të eurozonës, dhe vendeve rreth nesh. Për më tepër, hapja e diskutimeve më Kuvend rreth projektit të buxhetit 2012, kërkon konsiderimin e të gjitha arritjeve dhe zhvillimeve në ekonomi, parë në një kontekst dinamik e hapësinor, në mënyrë që projeksionet tona të jenë adekuate dhe të mbështesin zhvillimet pozitive në perspektivë. Dhe në fakt, analiza e rezultateve të buxhetit faktik 2010, flet për një eksperiencë të re, tepër pozitive veprimi, në një situatë të veçantë të krizës globale, për instrumente të përdorura me efikasitet, si dhe për një rol aktiv nxitës së financave të shtetit, në raport me zhvillimet në ekonominë reale. Sipas raportit të fundit të shtatorit 2011 të FMN-së, pas një rigjallërimi të ekonomisë globale për gjatë vitit 2010, këtë vit, ajo po përballet me një fazë të re, të vështirë dhe të rrezikshme. Aktiviteti global është dobësuar, pabarazia në rritjen ekonomike është zgjeruar, besimi i agjentëve ekonomikë ka rënë ndjeshëm, si dhe janë shtuar rrisqet negative. Në perspektivën e afërt të ekonomive të vendeve të zhvilluara, parashikohet një vazhdimësi e ritmeve pozitive të rritjes, por një rritje e dobët, në rangun e 1.5 deri në 2% nga një rritje prej 3.1%, e regjistruar në vitin 2010 për këto ekonomi. Edhe në ekonominë e Bashkimit Evropian, referuar raportit më të fundit të publikuar nga Komisioni (Shtator 2011), vërehet një përkeqësim i situatës dhe perspektivës së përgjithshme ekonomike, gjatë këtij viti krahasuar me dinamikën e vitit 2010. Ndërkohë që gjatë vitit të shkuar (2010), ekonomia e Bashkimit Evropian regjistroi një rritje relativisht të fortë dhe veçanërisht gjatë gjysmës së parë të vitit. Dhe ndërkohë që dukej se ajo kishte hyrë në një shteg të rimëkëmbjes ekonomike, vlerësimi për situatën e përgjithshme ekonomike në BE, ndryshoi ndjeshëm drejt kahut negativ përgjatë vitit 2011, duke qenë edhe më e zbehtë rritja në 6-mujorin në vijim. Kjo perspektivë e dobët ekonomike e zonës euro, reflekton kryesisht: (i) dobësimin e rritjes së konsumit; (ii) përkeqësimin e pritshmërisë së konsumatorëve dhe bizneseve; (iii) trysninë e shkaktuar nga tregjet financiare mbi besimin e investitorëve dhe kostove për të investuar; (iv) frenimin e shkaktuar nga masat e përforcuara të austeritetit fiskal, të ndërmarra në disa prej vendeve anëtare; (v) si dhe, ngadalësimin që pritet të ndodhë në kërkesën e jashtme. Situata paraqitet më optimiste për vendet e Ballkanit perëndimor, ku ritmi i rritjes, edhe pse është dukshëm nën nivelin e periudhës para krizës, vijon të mbetet të paktën dy herë më i lartë se ai i eurozonës. Referuar raportit tremujor, të Drejtorisë së Përgjithshme për Çështjet Ekonomike e Financiare pranë Komisionit Evropian, të dhënat deri në tremujorin e parë të këtij viti (2011), në përgjithësi konfirmojnë vazhdimësinë e rikuperimit ekonomik në ekonomitë e vendeve të rajonit tonë, ndonëse ritmi i rritjes varion nga vendi në vend. Një situatë ekonomike tejet problematike ka rezultuar edhe për dy ekonomitë më kryesore partnere për Shqipërinë, atë të Greqisë dhe Italisë. Ndërkohë që ekonomia greke thelloi nivelin e recensionit, përgjatë vitit 2010 me një rritje negative prej -4.5% nga -2% që ishte në vitin 2009, dhe vijon të përjetojë një recension të thellë edhe përgjatë këtij viti, situata e zbehtë ekonomike në Itali duket se është përkeqësuar më tej, gjatë gjysmës së parë të vitit 2011 dhe perspektiva e afërt ka anuar ndjeshëm për nga kahu negativ. Nga një rritje prej 1.3% e regjistruar në vitin 2010 për ekonominë italiane, parashikimet për rritjen e vitit 2011, janë përkeqësuar vazhdimisht. Në maj të këtij viti, Komisioni parashikonte një rritje prej 1% për vitin 2011 në tërësi, ndërkohë që në Shtator të 2011, parashikon një rritje në nivelin 0.7%, dhe të dy këto parashikime nuk marrin në konsideratë zhvlerësimet e borxhit sovran italian të bëra së fundmi nga Standard and Poors dhe Moody’s. Përballë këtyre zhvillimeve, ekonomia shqiptare përgjatë vitit 2010, sipas vëzhgimeve të të gjithë partnerëve ndërkombëtarë (KE, FMN, BB, etj), dëshmoi një qëndrueshmëri të admirueshme. Viti 2010, vijoi progresin e qëndrueshëm të dekadës së fundit, duke siguruar rritje nga më të lartat ekonomike, në rajonin e eurozonës dhe duke mundësuar trefishimin e PBB-së për frymë brenda një dekade. Politikat fiskale dhe administrative lehtësuese kanë ndihmuar biznesin për t’u bërë më produktiv. Treguesit kryesorë makroekonomikë mbetën stabël dhe u përmirësuan më tej. Rritja ekonomike prej 4%, në vijë me parashikimet e qeverisë, u bazua në radhë të parë nga një rimarrje e fortë e konsumit, krahasuar me një vit më parë. Konsumi privat gjatë vitit 2010, u përmirësua ndjeshëm edhe pse roli i tij mbeti jo përcaktues në kërkesën agregate. Të dhënat sasiore nga importet e mallrave të konsumit sugjerojnë një pamje më pozitive se indeksi i tregtisë me pakicë. Importet e mallrave të konsumit, të përllogaritura në lekë u rritën me rreth 11 % në vitin 2010 në terma vjetore, kundrejt një rritje prej vetëm 1.3 % në 2009 dhe një rritje mesatare vjetore prej 10.4 % që nga viti 2001. Eksportet shqiptare, me rritjen e tyre më të fuqishme të njohur më parë, prej 56.4% krahasuar me vitin 2009, ishin ato që udhëhoqën rritjen ekonomike të vendit. “Mineralet, lëndët djegëse dhe energjia elektrike” ishin grupi me kontributin më të lartë në rritjen totale të eksporteve me rreth 23.6 pikë përqindjeje. Kushtet e tregut të punës janë përmirësuar në tremujorët e fundit të 2010-ës, pas ngërçit në tremujorin e parë të po këtij viti, duke pasqyruar rimëkëmbje në aktivitetin ekonomik. Punësimi në sektorin privat jo-bujqësor u rrit me 1.8 % në terma vjetore në tremujorin e dytë të 2010-ës, dhe vazhdoi të rritet me 2.6 % dhe 3.1 % në tremujorin e tretë dhe tremujorin e katërt të po këtij viti. Përmirësimi i punësimit në sektorin privat jo-bujqësor, ka reflektuar kryesisht rritje të numrit të të punësuarve në industri dhe në sektorët e shërbimeve. Norma e papunësisë qëndroi në nivelin 13.5 %, duke shënuar një rënie të moderuar nga niveli 13.8 % që regjistronte në tremujorin e tretë të vitit 2009. Gjate 2010-ës, inflacioni mbeti brenda kufirit prej 3+-1 të targetuar nga Banka e Shqipërisë. Pra, një inflacion mesatar vjetor prej 3.5%, me një tendencë ulje përgjatë vitit. Zhvillimet monetare në 2010 janë karakterizuar nga zgjerimi me ritme të larta të rritjes së parasë së gjerë, në krahasim me fundin e 2009-ës, mbështetur nga zhvillimet pozitive në anën e detyrimeve të bilancit të bankave. Në dhjetor, paraja e gjerë është rritur me 12.5% në terma vjetore, krahasuar me 6.8% që ishte në fund të vitit 2009. Ndërsa agregati monetar në lekë (M2) u rrit mesatarisht me 4.6% në terma vjetore për vitin, paraja jashtë bankave ka qenë në rënie dhe ka regjistruar një ulje mesatare vjetore prej 4.4% gjate gjithë vitit, duke rikonfirmuar edhe tendencën e kthimit të depozitave në sistemin bankar gjatë kësaj periudhe. Kjo ka bërë që niveli i depozitave në lekë të rritet me 11% në terma vjetore, ndërkohë që rritja vjetore prej 28% e depozitave në valute është mbështetur edhe nga flukset e dërgesave të huaja, si dhe të aktivitetit të biznesit gjatë kohës së sezonit turistik. Edhe pse likuiditeti bankar u përmirësua dukshëm, në krahasim me 2009-ën dhe bankat kane zbutur disi standardet e kredisë, aktiviteti kredidhënës ka mbetur më i ngadaltë se 3-4 vitet paraprirëse. Raporti i kredisë ndaj PBB-së në fund të vitit 2010, ishte rreth 39.5%, pak më i lartë se niveli në fund të 2009. Në dhjetor të vitit 2010, norma vjetore e rritjes së portofolit të kredive ishte pothuajse 9,7%. Në krahasim me 3,5% që ishte në fund të 2009-ës. Kredia për bizneset ka kontribuar pozitivisht në rritjen e kredive, kjo ka shënuar një rritje prej 13,4% në terma vjetore në krahasim me 7,5% që ishte në fund të 2009. Kreditimi për individët ka treguar disa përmirësime në terma mujore, por ende vazhdoi të mbetet në terma të ulëta deri në dhjetor 2010, me një rritje prej 0.7% në terma vjetore. Norma e interesit në depozita të reja ka qenë në një trend në rënie si për monedhën vendase, ashtu dhe për atë të huaj. Norma e ponderuar e interesit të depozitave të reja në leke ka rënë me 5%. Ndërkohë, në korrik, Banka e Shqipërisë uli normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindjeje duke arritur në 5%, rënia e tretë që nga shkalla prej 6.25% në fillim të 2009. Ndryshe nga zhvillimet në kursin e këmbimit në vitin 2009, zhvlerësimi i lekut gjatë vitit 2010, ishte i moderuar, duke arritur shkallën minimale vjetore të zhvlerësimit prej 2.5% në nëntor 2010, dhe duke rezultuar me një zhvlerësim mesatar vjetor në raport me euron dhe dollarin, respektivisht në 4.34 dhe 9.49 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2009. Në fund të vitit 2010, bilanci i përgjithshëm i pagesave u mbyll me një suficit prej 178.8 milionë Euro, pas deficitit prej 31,9 milionë që shënonte viti 2009. Llogaria korente regjistroi një deficit prej 1,056 milionë Euro, me një rënie prej 21,5% nga një vit më parë. Llogaria kapitale dhe financiare, regjistroi një suficitit prej 924.5 milionë Euro, në gjendje të financojë rreth 87.6% te deficitit të llogarisë korente. Në fund të vitit 2010, stoku i rezervës valutore arriti në rreth 1.9 miliardë Euro që është e mjaftueshme për të mbuluar rreth 4.8 muaj import të mallrave dhe shërbimeve. Zhvillimet në financat publike, përgjatë vitit 2010, kanë qenë në të njëjtën kahje me nevojën për përshpejtimin e rritjes ekonomike të vendit, si dhe nevojës për të ruajtur qëndrueshmërinë makroekonomike të vendit, si faktori themelor për gjenerimin e rritjes ekonomike të qëndrueshme dhe afatgjatë. Për këtë, qeveria deklaroi në janar 2010, një paketë masash për forcimin e hosteritetit fiskal, masa të cilat synonin uljen e deficitit, ruajtjen e nivelit të borxhit përmes një sërë shkurtimesh në shpenzime. Sot ne raportojmë me kënaqësi përpara Kuvendit, se ky angazhim i qeverisë rezultoi mëse i suksesshëm dhe çoi në rritjen e mëtejshme të kredibilitetit të ekonomisë sonë në partnerët e huaj, si dhe në agjentët e brendshëm ekonomikë, një kusht ky i rëndësishëm për shëndoshjen e mëtejshme ekonomike dhe përballimin e goditjeve të mundshme të krizës ekonomike globale. Rezultatet e këtij angazhimi për 2010 ishin: -deficiti buxhetor ra në nivelin 3% të PBB-së, i cili është niveli minimal historik i tij; -borxhi publik u ul me 1 pikë përqindje në krahasim me vitin 2009; -të ardhurat u rritën afro 9%; -shpenzimet u ulën me 4.5%; -u respektuan të gjitha prioritetet e vendosura (rritje e pagave dhe pensioneve sipas programit, investime publike gjithsej rreth 6.5% e PBB-së, etj) Realizimi i suksesshëm i këtij angazhimi të qeverisë, përballë kompleksitetit që paraqet ndërmarrja e masave të tilla, në ekonomitë e vendeve përreth e më gjerë, dëshmon veç të tjerash edhe për mundësitë që ofron struktura aktuale buxhetore, për të ndërmarrë programe të tilla hosteriteti, pa dhimbje të mëdha, bile duke vijuar njëkohësisht rritjen e pagave, pensioneve e alokacioneve familjare, të cilat janë fokusi i vetëm i shkurtimeve në vendet e tjera. Treguesit kryesore të buxhetit Për vitin 2010, te ardhurat totale në buxhetin e konsoliduar, arritën në 324.7 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet totale arritën në 362.8 miliardë lekë. Krahasuar me vitin 2009, të ardhurat ishin 8.6% më të larta, ndërsa shpenzimet u zvogëluan me 4.5%. Deficiti fiskal u përgjysmua duke rënë në 38 miliardë lekë nga kreditë e zhvillimit. Në vitin 2010 u realizua me sukses emetimi i Eurobondit të parë shqiptar, i cili krijoi akses për vendin në tregun ndërkombëtar të kapitalit. Ndërkohë, kostoja me të cilën u emetua (7,5% me afat 5 vjet) është favorizuese, jo vetëm e krahasuar me kredinë sindikale, te cilën ky Eurobond mundësoi për shlyerje, por edhe krahasuar me vendet e tjera, të cilat kane një vlerësim risku më të lartë. Shlyerja e kredisë së mëparshme i gjeneroi buxhetit kursim në shërbimin e borxhit, duke sjellë gjithashtu diversifikimin e portofolit të borxhit dhe menaxhimin efektiv të instrumenteve te tij. Të ardhurat e buxhetit u realizuan sa 97.3% e programit, duke dëshmuar një ecuri pozitive dhe një përmirësim të ndjeshëm kundrejt një viti më parë, duke u ndikuar nga rigjallërimi i aktivitetit ekonomik në vend, përmirësimin e administrimit, si dhe uljen e mëtejshme të informalitetit. Të ardhurat tatimore u rritën me 6.5 për qind kundrejt një viti me pare; të ardhurat nga tatime dhe dogana me 6.8 për qind; të ardhurat e mbledhura nga pushteti vendor pësuan ulje prej rreth 2.1 për qind; të ardhurat në fondet speciale u rritën me 7.7 për qind; të ardhurat jo tatimore me 33 për qind. Vlen të theksohet se masat ligjore të ndërmarra për të lehtësuar e nxitur strategjitë investuese e prodhuese të biznesit, dhe sidomos të industrive eksportuese, gjatë viti 2010-ës, iu rimbursua biznesit në formën e TVSh-së rreth 9 miliardë lekë ose trefishi i shumave të dhëna në vitet e mëparshme. Shpenzimet e përgjithshme të buxhetit në fund të vitit 2010, u realizuan në masën 97.5% të programit duke qenë sa 29.5 për qind e PBB-së. Kundrejt vitit 2009, shpenzimet buxhetore rezultojnë rreth 17.1 miliardë lekë më të ulëta, ose rreth 4.5 për qind më pak. Duhet kujtuar se viti 2009, u karakterizua nga një politikë fiskale ekspansioniste në kundërpërgjigje kundraciklike të efekteve negative te krizës globale, duke përdorur mbi 25 miliardë lekë të ardhura nga privatizimet, për të përshpejtuar investimet publike në infrastrukturë (në fund të vitit 2009, deficiti fiskal ishte 80.9 miliardë). Ky kufizim i shpenzimeve në linjë me politikën fiskale stabilizuese të qeverisë të shpallur në muajin janar, u mundësua përmes rishikimit të buxhetit në mesin e vitit, si dhe të rialokimeve të tepricave në muajin dhjetor. Nga pikëpamja e politikave, që evidentohen e theksohen si dhe karakteristikave specifike strukturore të buxhetit faktik 2010 mund të përmendim: Buxheti luajti një rol aktiv në mbështetjen e ekonomisë reale, tashmë jo përmes ekspansionit anticiklik fiskal, por duke krijuar një situatë stabël në tregun monetar, për të ulur çmimin e parasë dhe atë të produkteve përballë zhvillimeve të paqëndrueshme të tregjeve rajonale; Buxheti 2010 dëshmoi ekzistencën e një marzhi manovre mëse të mjaftueshëm, në anën e shpenzimeve dhe një kapaciteti administrativ të admirueshëm, për të reaguar nën perspektivën e një stabilizimi fiskal të menjëhershëm përballë çdo evenimenti në të ardhmen; Rritja e të ardhurave buxhetore nuk erdhi nga rritja e barrës fiskale, por nga ulja e informalitetit dhe mirëadministrimi. Përkundrazi, një sërë përmirësimesh ligjore lehtësuan barrën fiskale të sipërmarrjeve ekonomike; Optimizimi dhe ulja e vëllimit të shpenzimeve publike, si dhe zvogëlimi i deficitit buxhetor, në nivelet më të ulëta historike u mundësua pa prekur prioritetet programore të qeverisë dhe në një mirëkuptim të gjerë shoqëror; Konsolidimi fiskal u bë krahas rritjes së pagave të sektorit publik nga 7-12% dhe të pensioneve 7-14%; Investimet publike vijuan të mbeten prioritare, duke konsumuar mbi 1/5 e fondeve publike ose rreth 6.5% e PBB-së; Ndërsa stoku i borxhit publik ulet me një pikë përqindje ndaj PBB-së, ulje edhe më të madhe shënon ulja e kostos së shërbimit të borxhit, duke zbritur poshtë nivelit të vitit 2004, edhe pse kriza e borxheve në ekonomitë e tjera po rrit borxhet me shpejtësi dhe po shtrenjton gjithnjë e më shumë paratë për shërbimin e tyre; Fatura sociale në buxhetin 2010 u rrit më shpejt se programet e tjera duke bërë që afro 1/3 e buxhetit ose afro 9% e PBB-së (nga 6.7 në 2004 ose ¼ e shpenzimeve gjithsej), të destinohen për fondet shoqërore publike. Ndërkohë pjesa e deficitit të dy fondeve publike po vjen në thellim. Reformimi i tyre është i nevojshëm; Rritja e buxheteve të pushtetit vendor ka ardhur kryesisht nga rritja e transfertave të buxhetit qendror. Të ardhurat lokale mbeten në stanjacion, një reformim fiskal lokal nënkupton decentralizim të mëtejshëm fiskal, por para së gjithash, rritje të kapaciteteve administruese të tyre. Buxheti faktik i vitit 2010 është audituar në kohë dhe sipas ligjit, nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili i gjeti të dhënat të përputhura me transaksionet e kryera nga thesari në sistemin bankar. Zbatimi i buxhetit është karakterizuar nga një disiplinë dhe rigorozitet financiar më i lartë, çka ka rritur më tej efektivitetin e përdorimit të fondeve publike. Buxheti i vitit 2010 ishte një eksperiencë e re në hartimin dhe zbatimin e një programi fiskal, bazuar në një lidhje të drejtpërdrejtë të financimit të programeve e projekteve buxhetore në këmbim të rezultateve konkrete dhe treguesve të matshëm. Është koha që vlerësimi i zbatimit të buxhetit të bazohet jo vetëm sa i takon rigorozitetit në zbatimin e ligjshmërisë, por në radhë të parë në treguesit dhe outputet e mara nga përdorimi i fondeve publike për çdo program e projekt, çka përbën edhe nivelin më të lartë në përdorimin efecient e efektiv të fondeve publike.

KOMENTE