Tiranë, 6 tetor 2011, NOA- Kuvajti do të mbështesë çdo projekt infrastrukturor në Shqipëri, ka qenë kjo garancia që ka marrë kryeparlamentarja Jozefina Topalli gjatë takimit me Kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Shtetit të Kuvajtit, Jassim Mohammad Al-Kharaf. Politikani kuvajtian tha se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kuvajtit janë një model bashkëpunimi dhe forca qëndron tek uniteti më njëri-tjetrin, ku shtoi se do të thellohen bashkëpunimet e mëtejshme mes dy vendeve. Duke u ndalur në bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, Topalli falënderoi mysafirin e saj për gjithë mbështetjen financiare me projekte konkrete si për qendrën e Tiranës dhe në të gjithë Shqipërinë, duke theksuar se është koha për të organizuar në Tiranë një Forum të Përbashkët Bashkëpunimi Ekonomik. Al-Kharafi u shpreh se, “Shqipëria është një vend i pasur në vlera ndaj dhe tek Kuvajti do gjeni gjithmonë një partner bashkëpunimi. Gjatë kësaj vizite dhe gjatë këtij takimi ramë dakord që të mbështesim Shqipërinë në të gjitha projektet e saj të infrastrukturës”. Sakaq ai emër të popullit të Kuvajtit, falënderoi shtetin shqiptar, për mbështetjen që ka dhënë në kohën e çlirimit të Kuvajtit nga regjimi i Sadam Huseinit. Nga ana e saj Topalli tha se shenjë konkrete për bashkëpunimin mes biznesit do të ishin heqja e vizave si dhe vendosja e një linje ajrore direkte mes dy vendeve. Në përfundim Kryeparlamentarja Topalli dhe zoti Al-Kharafi ndanë mendimin për të nxitur edhe më tej bashkëpunimin ndërparlamantar me vizita edhe më të shpeshta nga parlamentet e dy vendeve. a.y/NOA
Në foto: Kryeparlamentarja Topalli gjatë takimit me Kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Kuvajtit, Jassim Mohammad Al-Kharaf