English

Kuvend, shtyhen sërish projektligjet “e integrimit”

Tiranë, 6 tetor 2011, NOA/ Albana Qehajaj – Pas 6 ditësh Komisioni Europian pritet të japë mendimin e tij nëse Shqipëria e meriton apo jo statusin e kërkuar për të qenë kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Për marrjen e vendimit, vite më parë Komisioni i vendosi Shqipërisë dhe politikës vendase 12 rekomandime, plotësimi i të cilave do të siguronte një bazë të mirë ligjore për vendin dhe familjen evropiane. Pjesë e 12 rekomandimeve janë edhe 5 projektligje të cilat kërkojnë 84 vota gjatë miratimit në Kuvend, pra kërkon votat e mazhorancës qeverisëse por edhe të opozitës së rikthyer në Kuvend pas muajsh të tërë bojkoti. Projektligjet, mes të cilave “Gjykata Administrative”, Kodi i Procedurës Penale etj, nuk kanë marrë votën e të zgjedhurve politikë as këtë të enjten. Partia socialiste ka këmbëngulur se vota e saj do të vijë vetëm pasi qeveria të japë mbështetjen e saj konkrete për një pakt kombëtar, i cili nëpërmjet 10 pikave do të sjellë një situatë të re politike në vend. Por për mazhorancën, opozita hoqi dorë nga bojkoti “de juro” pasi në realitet vazhdon të kushtëzojë çdo hap që e çon vendin drejt integrimit.

Ruçi: Mazhoranca hesht sërish për ofertën

Kryetari i grupit kuvendor socialist Gramoz Ruci deklaron në kuvend se maxhoranca nuk ka dhënë ende përgjigje zyrtare për paktin e propozuar nga Partia Socialiste.

“Ne po presim akoma përgjigje për propozimin e Paktit Kombëtar prej 10 pikash. Jo nuk doni mos integrimin, kemi kaq ditë dhe paktit të ofertës tonë nuk i është dhënë përgjigje institucionale”, deklaroi Ruçi nga foltorja e Kuvendit.

Patozi: PS të heqë postbllokun e integrimit

Duke folur në seancën e sotme plenare Patozi theksoi se 10 pikat e paktit nuk janë gjë tjetër veçse hartimi i Edi Ramës I cili po e përdor si postobllok për të mos ecur përpara me reformat integruese të vendit. “Bashkimi Europian pret prej nesh plotësimin e 12 rekomandimeve dhe 5 prej tyre janë përfshirë edhe sot në axhendën e Parlamentit por që opozita nuk pranon t`i miratojë duke përdorur 10 pikat për të bllokuar integrimin” ka theksuar Patozi. Ai gjithashtu kërkoi nga deputetët e opozitës që të miratojnë ligjet me shumicë të miratuar si kush kjo për integrimin e vendit në Bashkimin Europian. "Ne nuk vëmë kushte, nuk ju imponojmë konceptet tona. Kemi një kërkesë ndaj deputetëve të opozitës: Hiqni postbllokun e integrimin", tha Patozi.

Topalli: 5 projektligjet në rend të ditës të çdo seance

Pas refuzimit të opozitës, për të disatën herë se nuk do të votoje ligjet që duan 3/5 të votave kuvendore, kryetarja Topalli ka bërë të ditur se miratimi i tyre do jetë në rënd të ditës në çdo seancë. “Projektligjet që hyjnë në 12 rekomandimet e KE do t’i keni në kalendarin e punimeve në çdo seancë dersa të miratohen”, u tha Topalli deputetëvë, ndërsa seanca vazhdoi me pikat e tjera të rendit të ditës, ku përfshirë edhe ligji mbi transmetimet radio-televizive, miratimi i buxhetit faktik për vitin 2010. a.q/NOA

KOMENTE