Tiranë, 6 tetor 2011, NOA – Kuvendi ka shtyrë për javën e ardhshme interpelancën e lajmëruar për sot me ministrin e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve, Sokol Olldashi. Interpelanca me ministrin Olldashi ishte kërkuar nga deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe. Ndërkohë seanca e sotme e Kuvendit nisi në orën 11.00 me diskutimin e projektligjit të parë në rendin e ditës atë për “Për mënyrën dhe procedurat e shitjes së pronave të personave juridikë jobankarë që kanë marrë hua nga publiku i gjerë. Deputeti demokrat Shemsedin Shehu deklaroi se Partia Demokratike arriti të shpërndajë 60 përqind të pronave të firmave piramidale, ndërkohë që akuzoi ish-mazhorancën e majtë se ishte korrupsioni arsyeja, për të cilën e majta humbi zgjedhjet në vitin 2005. Rendi i ditës po vijon me projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Austrisë për realizimin e një sistemi kompjuterik për rregjistrin themeltar të gjendjes civile në Shqipëri”, e mandej do tw vijojw me diskutimet për projektligjin e ndryshuar për transmetimet me zë apo me zë e figurë; draftin për miratimin e buxhetit faktik të shtetit për vitin 2010, etj. Në rendin e ditës janë edhe diskutimi dhe miratimi i pesë projektligjeve të rëndësishëm që kërkojnë shumicë të cilësuar prej 84 votash. Pritet që seanca e sotme të përfshihet rishtas në debate mes opozitës dhe mazhorancës për projektligjet me 3/5, të cilat për tu shndërruar në ligj duhet të marrin edhe kartonat jeshilë të opozitës. Në qendër të seancës do të jenë projektligjet për Gjykatën Administrative, dhe ndryshimet në kodet e Shqipërisë, si Kodi Penal, Kodi Ajror, Kodi Detar, Kodi Rrugor, të cilat kanë hasur kundërshtinë e deputetëve të opozitës në komisionet parlamentare, edhe pse janë miratuar vetëm me votat e mazhorancës për të hyrë në seancë plenare. mit/NOA
Në foto: Kryeministri Sali Berisha, deputeti i PS Erion Braçe gjatë seancës së kaluar të Kuvendit