Aktmarrëveshja që po miratojmë sot, një numër shumë i madh dublikimesh në të dhe gjithë problematika që ju parashtrova nuk është më një marrëveshje me një shtet mik, por vetëm një batanije 2.5 mln euroshe që shteti shqiptar i paguan sekserëve për të mbuluar korrupsionin elektoral. Nga Blendi Klosi U bë tashmë e disata javë që Parlamenti i Shqipërisë mblidhet në seancë jo për të bërë ligje, jo për të bërë reforma, por për të miratuar qoka të ndryshme. Qoka korruptive që shkojnë në drejtime të ndryshme. Para dy javëve u mblodh parlamenti vetëm për të kaluar një ligj, atë qokën e plehrave urbane, që ju lejua kompanive të caktuara për të futur plehra në Shqipëri. Një javë më parë u mblodhëm për qokën e varrezave të makinave, ku një kompanie po aq afër qeverisë, që siç ka dal gjithë këto kohë nëpër media, kërkon të bëjë një korrupsion tjetër. Sot po mblidhet parlamenti dhe të gjitha diskutimet që po bëhen janë vetëm për një ligj, një qok tjetër që po i ofrohet jo më një kompanie që bën korrupsion e të ofron lekë, po i ofrohet një sistemi i cili ju ofron juve pushtetin. Perifrazoj këtu Ministrin e Brendshëm i cili tha: është shumë e rëndësishme, është shumë e rëndësishme, është shumë e rëndësishme ky projekt marrëveshje, por jo për qytetarët shqiptarë. Është shumë e rëndësishme për t’ju mbajtur ju në karrige. Është një qok që i bëhet atyre që dalin dhe thonë se Kodi Elektoral është në rregull, se zgjedhjet në Shqipëri nuk vidhen, në Shqipëri nuk ka problematikë. Ndodh kjo, një qokë për deputetët tuaj që jo vetëm nga pamja e jashtme i ngjanë Ferdinand Pones, kanë mustaqe, por janë në ide dhe koncepte fiks si Ferdinand Pone. Bëjnë dhe falsin si Ferdinand Pone, i cili tashmë me Sali Berishën, së bashku, nuk bën dot më vjedhje si në 2004, kur zbrisnin me helikopter në fshatrat e Fierit dhe i rrihnin qytetarët e atyre zonave. Ashtu siç bën në zgjedhjet e 1996 e në zgjedhjet e 1997. Tani me anë të kësaj marrëveshje kjo është mënyra sesi vidhen votat në Shqipëri. Kjo është mënyra elektronike, shekulli 21, mosha e internetit, mosha e teknologjisë së informacionit. Kjo është mënyra sesi vidhet dhe do t’jua shpjegoj sepse. Kjo është mënyra sesi abuzoni, kjo është mënyra sesi mbani pushtetin, prandaj kjo marrëveshje është një qokë që realizohet edhe me vonesë, edhe me probleme të mëdha financiare, me dyshime të forta financiare. Më lejoni të nderuar kolegë t’ju bëj pyetjen indirekte, por e di që asnjëri nga ju nuk do më jepni përgjigje sepse është një minë me sahat. Pse bëhet kjo marrëveshje kur u tha se qeveria Austriake na e fali sistemin e gjendjes civile? Pse u miratua për dy vitet e para deri në përfundim të zgjedhjeve të 2011? Për çdo vit nga 300 mijë euro ka qenë marrëveshja. Relacioni i marrëveshjes që na paraqitet thotë se në dy vitet e para ofrohet 300 mijë euro. Mbasi procesi vajti mirë, i vodhët zgjedhjet e 2011 i ofroni një konsenus tjetër, për tre vitet e ardhshëm e rritjet gjobën, 500 mijë euro. Po dhe sa vite të tjera do vazhdojë kjo gjobë? Ky sistem që na ofrohet gjoja falas na shkon në një vlerë prej 2.5 mln euro, të cilat do të paguhen nga taksa paguesit shqiptar. Ka një problem tjetër shumë të madh kjo marrëveshje. Është një marrëveshje që paguhet, thuhet, për shërbimin që të ofrojnë. Ndërkohë, në relacionin tuaj as nuk dini. Jua thashë dhe herën e kaluar, administrata juaj copë-copë e cila do vetëm të përmbyllë porositë, kësaj radhe të kryeministrit, nuk di as ta shkruajë relacionin. Relacioni juaj thotë se do zbatohet 9 muajt e parë të vitit 2011. Pra, shërbimi është kryer. Sikur sot ky parlament të mos ta votonte këtë projektmarrëveshje, sikur sot në këtë parlament deputetët e Bamir Topit të kalonin nga PS dhe mos ta votonin dhe LSI të kalonte këtej dhe të mos ta votonte, çfarë do të ndodhte me kompaninë austriake? Kush do ta paguante 500 mijë euroshin e këtij viti? Si mund të kalohet në parlament marrëveshja dhe ju të paguani shërbimin që është ofruar një vit? Kush ka qenë dorëzan? Është ai deputeti i shëndosh me mustaqe, ndërkombëtar, që ka qenë dorëzan. Që shkon në zyrat e parlamentit shqiptar me radhë e del bën deklarata vetëm kur merr miratimin për këtë projektmarrëveshje. Kjo është një qokë që bëhet në shkelje të plotë me ligjin shqiptar. Pse duhet bërë ky shërbim pa tender? Të thuhet nga qeveria ne do ta bëjmë prokurim të drejtpërdrejtë dhe do t’i ofrojmë një çmim prej 500 mijë euro, që mund ta bëjnë dhe kompanitë shqiptare dhe kompani të tjera të huaja, por ta bëjnë me prokurim. Pse u bëka kjo me marrëveshje? Kjo bëhet me marrëveshje se duhet të mbulohet bomba e zgjedhjeve elektorale. Kjo bëhet me marrëveshje sepse Kodi Elektoral, Ligji Elektoral, është ai i cili kërkohet të ndryshohet për të ndryshuar këtë sistem. Raporti i fundit i OSBE/ODIHR e thotë qartë, ndryshoni mënyrën e identifikimit të votuesve. Ndryshoni mënyrën e dublikimit të votuesve në listat e votimit dhe ju nuk pranoni të diskutoni. Ka probleme të mëdha Sali Berisha me propozimet e PS që nuk pranon diskutimet për ndryshimin e Kodit Elektoral, e vetmja gjë e cila ju tmeron dhe doni ta mbani me çdo kusht, është ky sistem i cili sot është komplet i pamenaxhueshëm edhe nga zyrat e gjendjes civile. Të cilat për hir të së vërtetës zoti ministër, të cilat për hir të së vërtetës zoti Beja, nuk janë zyra që menaxhohen nga pushteti vendor. Nënpunësit e zyrave të gjendjes civile janë 100% të emëruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Zyrave të Gjendjes Civile. Ligji thotë në nenin 33, veprimet në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile bëhen vetëm me anë të teknikave informatike që menaxhohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Zyrës së Gjendjes Civile. Sot në asnjë zyrë të gjendjes civile kompjuteri i nënpunësve dhe i drejtuesve të institucioneve të pushtetit vendor nuk kanë listë përfundimtare të banorëve, nuk mund të bëjnë përditësime. Të gjitha këto bëhen, ashtu siç e thotë edhe ligji, nga nënpunësit e Drejtorisë së Zyrave të Gjendjes Civile. Ku ka sot persona të autorizuar, me kode personale që kanë punuar për dublime gjatë 2009, por që nuk kanë lënë gjurmë të dukshme, veprimi i tyre shihet dhe duket vetëm mbi bazën e këtyre të dhënave dhe është vepruar krejtësisht në mënyrë të rastësishme. Sot në Drejtorinë e Përgjithshme të Zyrave të Gjendjes Civile ka persona të autorizuar nga zotërinj të cilët mbajnë përgjegjësi ligjore, morale, politike për manipulimin e zgjedhjeve në Shqipëri në mënyrë të vazhdueshme. Këto që ne themi nuk kanë të bëjnë me marrëdhëniet me një shtet mik siç është Austria. Këto kanë të bëjnë me raportet korruptive të kësaj qeverie, me sekserët e atyre qeverive. Kjo nuk ka të bëjë me marrëdhëniet politike dhe me mundësinë e pasjes në Shqipëri një Kod Elektoral të pastër, të listave të votuesve korrekte, por kanë të bëjnë me njerëz të cilët manipulojnë këto lista dhe kjo nuk është e kot, por është një kontratë 2 vjeçare ku mbyllet 2011- ta. Jo ne nuk mund ta lejojmë atë që ka ndodhur në zgjedhjet e fundit. Ne nuk mund ta lejojmë që zyrat e gjendjes civile të mos kenë informacion për banorët e tyre. Sot qytetet e mëdha të vendit kanë ato 999-tat e famshme, të cilat nuk mund të pastrohen sepse kjo mënyrë e menaxhimit të regjistrit nuk lejon që drejtoritë përkatëse të çdo njësie vendore të punojnë. Sot qytetet e mëdha, qyteti i Durrësit ka mbi 50 mijë nga 160 mijë votues që nuk i di fare se çfarë janë sepse njësitë e Bashkisë së Durrësit nuk mund të menaxhojnë listën e votuesve, e cila bëhet vetëm nga drejtuesit e lartë dhe nga kompjuteri qendror i zyrave të gjendjes civile. Sot në Bashkinë e Tiranës, e kjo është e vërteta e hidhur, mbas përpunimit që i bëhet vetëm listës së votuesve që del nga KQZ-ja, sepse database nuk mund të përfundohet kështu, shkoni në zyrat e zonave tona përkatëse nuk mund të menaxhojmë asgjë. Pra e shikoni se çka pasur, database i fundit, të cilin thonë që e kemi pastruar, janë shumë herë më shumë lista dublimesh dhe familje të shtuara sesa ajo që thoni ju. Nuk është e vërtetë që ka vetëm 500 dublikime, vetëm në njësinë 1 në Tiranë ka shkuar në 400 numri i dublikimeve, por në të vërtetë ajo ka patur mbi 3000 dublikime, të cilat janë si këto listat që ju kemi paraqitur. I kemi paraqitur kudo që familje të tëra, familje me mbiemrin Gjeta, e njëjta familje me të njëjtin numër identiteti jeton në Paskuqan, në njësinë bashkiake nr. 4 dhe në Vorë. Ka mbi 8 mijë dublikime të tilla, familje të tëra që jetojnë në Paskuqan, në njësinë bashkiake nr.10, në Bërxull dhe në rrethina të tjera të Tiranës. Pra, aktmarrëveshja që po miratojmë sot, një numër shumë i madh dublikimesh në të dhe gjithë problematika që ju parashtrova nuk është më një marrëveshje me një shtet mik, siç jua thashë, por është vetëm një batanije 2.5 mln euroshe që shteti shqiptar i paguan sekserëve për të mbuluar korrupsionin elektoral.