Shkup, 6 tetor 2011, NOA – Qeveria maqedonase mendon se raporti i ardhshëm i Komisionit Evropian për përparimin e Maqedonisë do të jetë real si dhe do të përmbajë një rekomandim për nisjen e negociatave. Kështu mendon zëvendëskryeministrja për çështje evropiane, Teuta Arifi. Ajo tha një ditë më parë se raporti i KE do të vlerësojë arritjet si dhe do të rekomandojë fushat ku nevojitet përparim më i madh. Arif theksoi se qeveria do të marrë vlerësime pozitive për plotësimin e kritereve politike, si kriteret e Kopenhagës si edhe për harmonizimin e legjislacionit me të drejtën e BE-së. Sipas saj vërejtjet e KE-së pritet të bëhen për reformat në gjyqësi dhe administratë, ku sipas zonjës Arifi, do të kërkohet përshpejtimi i proceseve të reformave, si dhe implementimi i ligjeve të miratuara. Duke iu referuar lirisë së medias, ministrja Arifi theksoi se përtej kritikave do të përshëndetet dialogu i vendosur mes Qeverisë dhe SHGM-së. Qeveria, informon Arifi, ka formuar një grup pune me SHGM-në, ku krahas saj, marrin pjesë edhe ministrat e Punëve të Brendshme dhe të Punës e Politikës Sociale, Gordana Jankulloska dhe Spiro Ristevski. Pritet që edhe SHGM-ja të nominojë katër përfaqësues. Sipas Arifit, zhbllokimi i procesit të eurointegrimeve varet nga zgjidhja e kontestit për emrin e Maqedonisë. INA/NOA