English

Sovraniteti i rremë i Thaçit në TV

Janë sulmuar qytetarët e paktë shqiptarë ë jetojnë në atë pjesë, janë zmbrapsur tërësisht institucionet e rendit që janë të Kosovës, janë shtuar dhe forcuar barrikadat nëpër rrugë. Dhe në tërë këtë situatë qeveria e Kosovës, e më së shumti kryeministri Thaçi për çdo ditë dalin në televizor dhe tentojnë t’i bindin qytetarët se në veri po shënojmë vetëm suksese, dhe se sovraniteti dhe integriteti territorial në atë pjesë të vendit na qenka i garantuar

Nga Visar Imeri

Është një çështje e cila ka rëndësi jetike për qytetarët e Kosovës. Situata në veri të Kosovës nuk është as mirë e as duke u përmirësuar. Prej kohës së fundit që e kemi diskutuar këtë çështje, shumë gjëra për të keq kanë ndodhur atje. Janë sulmuar qytetarët e paktë shqiptarëqë jetojnë në atë pjesë, janë zmbrapsur tërësisht institucionet e rendit që janë të Kosovës, janë shtuar dhe forcuar barrikadat nëpër rrugë. Dhe në tërë këtë situatë qeveria e Kosovës, e më së shumti kryeministri Thaçi për çdo ditë dalin në televizor dhe tentojnë t’i bindin qytetarët se në veri po shënojmë vetëm suksese, dhe se sovraniteti dhe integriteti territorial në atë pjesë të vendit na qenka i garantuar. Atje e kemi një situatë të nderë të sigurisë, e këtej na thuhet që të mos brengosemi sepse për veriun jemi të sigurt. Kush është i sigurt. Dhe për çka. Këto janë pyetje të cilat nuk shtrohen dhe për të cilat përgjigjet nuk jepen.

Arsyetimi i mos thirrjes së një seance për veriun që më është dhënë nga një pjesë e konsiderueshme e grupeve parlamentare ka qenë ndjeshmëria e situatës atje dhe një lloj besimi në forcat e KFOR-it dhe EULEX-it. Pra kemi një zmbrapsje nga përgjegjësia në njërën anë, dhe një shpërthim të pakuptimtë të besimit në EULEX-in, besim ky i cili deri vonë, të paktën deklarativisht, kishte filluar të zbehet madje edhe të vetë qeveritarët e Kosovës. Deri dje EULEX-i kritikohej për neglizhencë dhe paaftësi në kryerjen e punës nga qeveria e Kosovës, ndërkohë që sot na thuhet se të gjitha shpresat për veriun janë varur në të dhe në KFOR-in. Ministri i Rendit deklaron se barrikadat në veri do të tolerohen deri sa t’i toleron ato EULEX-i. Kjo e konfirmon pikërisht atë që e kemi thënë ne që prej momentit kur është arritur marrëveshja për tërheqje nga veriu – se qeveria e Kosovës po ia bartë përgjegjësitë EULEX-it dhe se po i shndërron institucionet e Kosovës në spectator karshi ndodhive në atë pjesë të vendit. Mungesa e gadishmërisë për të debatuar për këtë çështje në Kuvend ka për qëllim ta shndërrojë edhe Kuvendin në një spektatorë të tillë.

Ndërkohë që debatin e kemi zhvendosur në media. Nuk ka natë që nëpër mediat televizive të mos kemi paraqitje të ndryshme të kryeministrit Thaçi ku ai flet për veriun përkundër ndjeshmërisë së situatës. Kjo nënkupton se nuk është problemi edhe aq te çështja sa është te protagonisti i çështjes, në këtë rast Hashim Thaçi. Për shkak se ky nuk është i gatshëm të ballafaqohet për këtë çështje me deputetët e padëgjueshëm të cilët nuk i blejnë ato që ai i shet si të vërteta. Më shumë është i interesuar të diskutojë me gazetarë të dëgjueshëm të cilët aktrojnë se i besojnë në çdo gjë. Thaçi nuk ka gatshmëri t’u përgjigjet pyetjeve të deputetëve të cilat e sfidojnë, por atyre të gazetarëve të përzgjedhur të cilat vetëm se e lëmojnë.

* Deputet, Lëvizja “Vetëvendosje!”

KOMENTE