Suedi, 6 tetor 2011, NOA - Poeti suedez, Tomas Transtromer, është fituesi i çmimit Nobel për Letërsi për vitin 2011. “Përmes imazheve të fuqishme dhe transparente ai na jep qasje të freskët të realitetit”- njoftoi Akademia e Suedisë për Shkencë, e cila jep edhe çmimin me vlerë prej 1.48 milionë dollarësh ose 10 milionë koronash suedeze. I konsideruar si poeti më i madh suedez në jetë, Tomas Transtromer, 80 vjeçar, ka lindur në 15 prill të 1931 në Stokholm. Vepra e tij ndërlidhet me modernizmin, ekspresionizmin dhe surrealizmin. Ashtu siç pritej, Transtromer ishte favoriti kryesor për marrjen e këtij çmimi , ku pretendentë ishin edhe japonezi Haruki Murakami, algjeriania Assia Djebar, kanadezet Margaret Atëood dhe Alice Munro, jugkoreani Ko Un dhe amerikanët Joyce Carol Oates, Thomas Pynchon, Philip Roth, dhe hungarezi Peter Nadas. Pas çmimit Nobel për Letërsi do të shpallet çmimi Nobel për Paqe të premten, më pas do të jepet cmimi për ekonomi të hënën. Në ditët paraardhëse u shpërndanë çmimet për mjeksi, fizikë dhe kimi. a.q/NOA