Vlorë-Sarandë, 6 tetor 2011, NOA – Në dy aksione të ndryshme policia e qarkut të Vlorës ka vënë në pranga dy persona të akuzuar për shitje të lëndëve narkotike dhe kundërshtim të patrullës së policisë. Sipas policisë gjatë patrullimit në vendin e quajtur ish-kampi i punëtorëve në fshatin Dhërmi të Vlorës u ndalua 21-vjeçari Thodhori Andrea Beleri, lindur dhe banues në Himarë. Beleri ishte duke udhëtuar me një mjet tip motorr DAYANG me ngjyrë të zezë kur gjatë kontrollit iu gjet nën sedilje një qese e bardhë me 10 gramë drogë të llojit Cannabis Sattiva. Po kështu policia arrestoi në një tjetër aksion 20-vjeçarin Gerald Edmond Poda, banues në lagjen nr. 4 në Sarandë. Arrestimi i Gerald Podës u krye në vendin e njohur si Rrethi i Spitalit në qytetin jugor të Sarandës, kur ndërsa po lëvizte me automjetin tip Mercedes-Benz me targa Y 74 IDHR 20-vjeçari refuzoi t’i tregonte policisë dokumentet e makinës. Pas rezistencës së drejtuesit të makinës nga kontrolli i policisë u zbulua një sasi prej 1.5 gramë bimë e ngjashme me atë të llojit Cannabis Sativa e fshehur në makinë. mit/NOA