Qeveri ka pasur edhe Zogu, po s’ka pasur opozitë. Qeveri ka pasur edhe Enveri, po s’ka pasur opozitë Nga Gramoz Ruçi Nuk jam unë që duhet të flisja për problematikën që ka në axhendë Parlamenti sepse janë kolegët e tjerë të përgatitur me seriozitetin e mandatit të tyre si opozitarë dhe si parlamentarë që të bëjnë oponencën profesionale të buxhetit faktit. Po ju nuk folët asnjë fjalë për këtë buxhet. Përkundrazi, folët për opozitën dhe në këto kushte nuk mund t’ju lë pa përgjigje. Nuk ka z.kryeministër, kryeministër në botën e qytetëruar që të tregojë me gisht opozitën. Ka opozitë që drejton gishtin tek kryeministri. Akoma pas 20 vjetësh, megjithëse, përgjërohesh për demokracinë, për shtetin e së drejtës, për ekonominë e tregut, për qeverisjen në kushtet e sistemit, nuk ke kuptuar gjënë më themelore. Qeveri ka pasur edhe Zogu, po s’ka pasur opozitë. Qeveri ka pasur edhe Enveri, po s’ka pasur opozitë. Ti nuk ke të drejtë për atë që duhet të japësh llogari, të kërkosh llogari. Është shumë e saktë fjalia: “fytyra njerëzore e qeverisë është buxheti”. Po! Kjo është e vërteta. Atëherë më lejo të të them se, qytetarët shqiptarë z.kryeministër, nëse ju referohemi vetëm dy elementëve nga mbushet buxheti jot dhe nga realizohen ato që ti i numëron si suksese të tua, por edhe xhepat e fryrë tuaja me korrupsion, nga mbijetesa e shqiptarëve shikohen dy elementë, nga ushqimi që hanë dhe nga ilaçet që kurohen. Atëherë ç’ti them unë qytetarit që iu drejtove ti, kur duhet t’i japësh ti llogari. Pse litrin e vajti ia ke bërë 2500 lekë kur e gjete 900 lekë? Kjo është llogaria që duhet të japësh. Ç’ti them unë fermerit. Pse orizin e ke bërë 1700 lekë kur e gjete në 2005, 550 lekë? Ç’ti them unë mësuesit dhe infermierit që u përgjërove ti këtu, që kilen e makaronave e ke bërë 1600 lekë, kur e gjete 500 lekë? Çfarë t’i them unë pensionistit që ti i ke dyfishuar pensionin, kur bukën e gjete 400 lekë dhe sot e ke 100 lekë. Për këtë duhet të japësh llogari. Çfarë t’i them unë qytetarit që energjinë e kishte 50.5 lekë, sot e ka 100.2 lekë? Çfarë ti them unë fermerit dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë që litrin e naftës e kishin 900 lekë, sot e kanë 1800 lekë. Për këtë ti duhet të dalësh para shqiptarëve dhe të japësh llogari. Kjo është fytyra e vërtetë e qeverisjes tënde dhe e buxhetit tënd. Dhe a e di se pse është kjo shifër. Sepse TVSH jonë ishte 15 lekë në 2005 për vajin e çove 41.7 lekë, ose 278%. TVSH-ja që paguhej për orizin ishte 9.5 lekë për kilogram, ti e çove 28.3 lekë për kg, ose 298%. TVSH jonë te buka ishte 6.7 lekë/kg e çove 16.7 lekë/kg. Ishte TVSH-ja jonë te makaronat 13.3 lekë/kg e çove 26.7 lekë/kg, pra 200%. Ishte TVSH-ja jonë te energjia 0.9 lekë e çove 1.7 lekë, 200%. Ishte nafta 15lekë për litër e çove 30lekë për litër. Ky është hesapi që ti duhet të japësh. Kjo është fytyra e vërtetë e qeverisjes tënde. Elementi i dytë ilaçet, je mjek. Dhe shqiptarët të mbajnë mend në atë kohë si mjek shumë të mirë, shumë të talentuar. Por, shqiptarët nuk ta falin kurrë Sali Berisha që të rrish 15 vjet në krye të shtetit shqiptar dhe ta çosh shëndetësinë një shekull mbrapa. Kjo është mjekësia jote. Ti duhet të japësh llogari para shqiptarëve! S’ka çarçaf, s’ka batanije, s’ka ilaçe, s’ka serume, s’ka doreza. Korrupsioni me ilaçet galopant. Këtë nuk ta falin, në ndonjë sektor tjetër mund ta falin. Kjo është llogaria që ti duhet të japësh para shqiptarëve. Ky është buxheti yt, kjo është fytyra e vërtetë e qeverisë tënde. Për këtë duhet të jepje llogari, jo të kërkoje llogari.