English

Berisha: Krimi dhe trafiku nuk ka viza, ai do shtypet kudo që gjendet

Vlorë, 7 tetor 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Kryeministri i vendit Sali Berisha ishte i pranishëm sot në qytetin e Vlorës ku mori pjesë në ceremoninë e dorëzimit ndaj Rojës Bregdetare të 7 mjeteve të reja të lundrimit, të financuara nga Komisionit Europian, në vlerën e 3.200 000 Euro. Në fjalën e tij Kryeministri shprehu mirënjohjen për vendet anëtare të Bashkimit Europian për ndihmën e dhënë nëpërmjet Komisionit Europian dhe siguroi se kjo ndihmë do të përdoret me profesionalizëm e efiçencë, për t’i bërë ujërat tonë më të sigurta, sikundër për të bërë më të sigurta edhe vendet mike. “Këtu, pak milje nga ne, ndodhet Kanali i Otrantos. Për vite dhe vite, ky kanal u bë për shqiptarët simbol i fatkeqësive dhe dramave të mëdha njerëzore. Këto vite, shqiptarët nuk kanë humbur më jetën, në detet e tyre. Puna e shkëlqyer që ju keni bërë bëri të mundur që trafiqet të marrin përgjigjen më të merituar. Por po kjo punë u kurorëzua me sukses të madh në heqjen e vizave”, u shpreh Berisha. Më tej ai shtoi se ndonëse krimi dhe trafiku nuk ka viza, do bëhet gjithçka për ta shtypur atë kudo që gjendet, në det, në tokë, kudo ku shfaqet. Duke iu referuar raportimeve të Ministrit të Brendshëm Bujar Nishani, ai u shpreh se trafiku i heroinës nga 1100 kilogram, në vitin 2004, ka zbritur në 10 kilogram, në tre vitet e fundit. Sipas tij këto të dhëna të tjera tregojnë se në tërësi, respekti që shqiptarët tregojnë për lëvizjen pa viza është më i miri në rajon. Ai shprehu bindjen se këto mjete, dhuratë bujare e vendeve mike dhe taksapaguesve të tyre nëpërmjet Komisionit Europian, do të përdoren me profesionalizëm e efiçencë, për t’i bërë ujërat tonë dhe vendin më të sigurt dhe për të bërë më të sigurta vendet mike. Kryeministri Berisha përshëndeti dhe u shprehu mirënjohjen efektivave të Policisë së Shtetit, të cilët me përkushtim dhe sakrificë përballen me krimin dhe trafiqet, për të mbrojtur jetën, pronën dhe veprimtarinë e qytetarëve. Gjatë kësaj vizite kreu i ekzekutivit vizitoi ambientet e brendshme të repartit dhe iu bë një prezantim i shkurtër i specifikave teknike të mjeteve të reja lundruese, ndërsa mësohet se këto mjete rrisin kapacitetet logjistike të Rojës sonë Bregdetare, për mbikëqyrjen e hapësirës detare. Ndërkaq të pranishëm në ceremoni ishin ministri i Brendshëm Bujar Nishani, Drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, drejtues të tjerë të lartë të Policisë së Shtetit, efektiva të njësisë operacionale të Rojës Bregdetare të Vlorës etj.. Në ceremoninë ishte i pranishëm gjithashtu Ambasadori i Delegacionit të Komisionit Europian në Shqipëri, Ettore Sequi. a.y/NOA

Në foto: Kryeministri Berisha në ceremoninë e dorëzimit ndaj Rojës Bregdetare të 7 mjeteve të reja të lundrimit

KOMENTE
  • Ismet Haxhija15:56 - 07 Tetor 2011
    ky rren e mashtron sa her flet