Tiranë, 7 tetor 2011, NOA- Kryeministri Sali Berisha priti sot në takim Kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Kuvajtit, Jassim Mohammad Al-Kharaf. Berisha e vlerësoi këtë vizitë si një kontribut të ri e të rëndësishëm në zhvillimin e mëtejshëm dhe konsolidimin e marrëdhënieve shumë miqësore dhe bashkëpunimit midis të dy vendeve dhe popujve. Kryeministri Berisha, e njohu mikun kuvajtian me reformat e mëdha të ndërmarra nga qeveria shqiptare, për zhvillimin ekonomik të vendit, krijimin e klimës më të mirë për bizneset dhe shprehu vlerësimin për një sërë investimesh të rëndësishme të investitorëve kuvajtianë, të cilat tashmë janë kthyer në histori suksesi për vetë ata, por edhe për Shqipërinë. Ai garantoi se çdo investitor kuvajtian do të gjejë tek qeveria shqiptare, një partner dhe mbështetës të palëkundur dhe të besueshëm për çdo projekt të tyre në Shqipëri. Në vijim të takimit u vlerësuan marrëdhëniet e mira dhe miqësore midis dy vendeve dhe qeverive, të bazuara mbi miqësinë tradicionale mes kombit shqiptarë dhe atij kuvajtian. Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen e tij dhe të qeverisë së tij ndaj mbështetjes së vazhdueshme dhe ndihmës bujare, që madhëria e tij Emiri i Kuvajtit dhe qeveria e Kuvajtit përmes fondit kuvajtian i kanë akorduar Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve, për realizmin e projekteve të rëndësishme. Sakaq një ndër këta projekte, për të cilin është punuar intensivisht është rikonstruksioni i sheshit Skënderbej. Duke i ripohuar edhe njëherë mirënjohjen më të thellë për donacionin bujar që Emiri i Kuvajtit i dhuroi Shqipërisë dhe qytetarëve të Tiranës, Kryeministri Berisha, e garantoi Al-Kharaf , se qeveria shqiptare po bashkëpunon ngushtësisht me bashkinë e Tiranës, për të realizuar sa më shpejt këtë projekte të rëndësishëm, për tu rikthyer qytetarëve nyjën nevralgjike të qendrës se Tiranën në formën më dinjitoze që ata meritojnë. Dy bashkëbiseduesit konfirmuan vendosmërinë dhe angazhimin e plotë të dy vendeve për të promovuar bashkëpunimin më të mirë në fushat me interes reciprok, si atë të shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare, në fushën e turizmit dhe nxitjen e investitorëve kuvajtian, për të investuar në projekte të rëndësishëm në Shqipëri. Ndërkaq Al-Kharaf vlerësoi arritjet e rëndësishme të qeverisë shqiptare gjatë kësaj periudhe, duke theksuar se të gjithë miqtë e Shqipërisë ndihen krenarë për atë çka Kryeministri Berisha dhe Qeveria Shqiptare, ka bërë dhe po bën për të shndërruar Shqipërinë dhe promovuar imazhin e saj në botë. Al-Kharaf i përcolli Kryeministrit Berisha përshëndetjet e Kryeministrit të Kuvajtit Sheikh Nasser Mohammed Al-Ahmed Al-Sabah, të Madhërisë së Tij Emirit të Kuvajtit Sheikh Sabah Al-Ahmed Al-Jaber Al-Sabah si dhe princit të Kurorës. a.y/NOA
kryeministri Berisha gjatë takimit me Jassim Mohammad Al-Kharaf