English

Ilir Beqja largohet përfundimisht nga Kuvendi, Gjykata: Mandati i papajtueshëm

Tiranë, 7 tetor 2011, NOA/ Albana Qehajaj – Zbardhet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit socialist Ilir Beqja. Pas kërkesës së një grupi deputetësh demokratë, sipas së cilës, Beqja ka përfituar fonde publike gjatë kohës kur ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, Gjykata Kushtetuese shprehet se, “megjithëse mandati i deputetit, në pamje të parë, mund të konsiderohet si individual, ai nuk mund të kuptohet i shkëputur nga mandati i Kuvendit. Aspekti individual i mandatit parlamentar qëndron tek fakti se deputeti, me qëllim që të ushtrojë mandatin e përfaqësimit në mënyrë sa më korrekte dhe pa pengesa (për shkaqe politike ose jo) “vishet” me një mburojë ndaj ndërhyrjeve të paligjshme të pushteteve të tjera ose të vetë zgjedhësve. Nga ana tjetër, aspekti kolektiv i mandatit parlamentar i referohet mbrojtjes së vetë organit ligjvënës si i tërë dhe jo deputetëve të veçantë, si pjesë të tij”.

Gjykata çmon se momenti i betimit të deputetit shënon datën e fillimit të ushtrimit të detyrës së tij si deputet dhe jo fillimin e mandatit të deputetit. “Në bazë të nenit 71/1 të Kushtetutës, megjithëse Ilir Beqja ka bërë betimin si deputet në datën 25.2.2010, mandati i tij parlamentar konsiderohet i fituar në momentin e shpalljes deputet nga KQZ-ja, pra në datën 1.8.2009, dhe jo ditën e betimit. Duke shqyrtuar në tërësi faktet dhe rrethanat e çështjes, Gjykata çmon se deputeti Ilir Beqja ka qenë në kushtet e papajtueshmërisë së parashikuar nga neni 70/3 i Kushtetutës, kur ka marrë pjesë në tenderin e organizuar nga Bashkia Durrës dhe ka lidhur kontratë me përfaqësuesit e saj për informatizimin e mjediseve të asaj Bashkie, pasi atij i kishte filluar mandati i deputetit”, citohet në vendimin e zbardhur ditën e sotme. Gjykata thekson se pasojat juridike të mandatit fillojnë në momentin që kandidati shpallet deputet nga KQZ-ja. Nga ky moment deputeti është i detyruar të plotësojë të gjitha kërkesat kushtetuese dhe ligjore që lidhen me ndalimin e kryerjes së aktiviteteve të tjera apo deklarimet lidhur me interesat e tij financiarë, siç parashikon Kushtetuta në nenin 70 të saj dhe ligjet e tjera përkatëse.

Deputeti Ilir Beqja kishte detyrimin që në momentin e shpalljes së tij fitues nga KQZ-ja të shmangte çdo rast të papajtueshmërisë. Pretendimi i tij kryesor se ai në atë periudhë nuk ishte deputet, pasi nuk kishte bërë betimin, është i pabazuar. Së pari, mandati i tij ka filluar që në datën 1.8.2009, ndërsa të ardhurat nga Bashkia Durrës ai i ka marrë në datën 17.2.2010 dhe 21.5.2010. Së dyti, mosbërja e betimit nga ana e tij nuk mund të paraqitet si shkak i ligjshëm, pasi ky veprim ishte rezultat i vendimmarrjes personale të tij bazuar mbi motive politike të bëra publike pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Fakti që ai nuk bëri betimin për disa muaj pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve nga KQZ dhe fillimit të mandatit të deputetit nuk e përjashton atë nga përgjegjësia për të plotësuar detyrimet që rrjedhin nga mandati parlamentar, të filluar prej muajsh.

Thënë më qartë, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar papajtueshmërinë e mandatit të deputetit socialist Ilir Beqja, i cili deri ditën e djeshme ka qenë prezent rregullisht në sallën e Kuvendit. Por pas zbardhjes së sotme të vendimit, Beqja nuk është më deputet i Kuvendit të Shqipërisë e PS duhet ta zëvendësojë atë me emrin e rradhës në listën e kandidatëve për deputetë të qarkur të Shkodrës në vitin 2009. a.q/NOA

KOMENTE