Tiranë, 7 tetor 2011, NOA - Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha priti sot z.Jassim Mohammad Al-Kharaf, Kryetar i Asamblesë Kombëtare të Shtetit të Kuvajtit. Gjatë takimit, z.Basha dhe z. Al-Kharafi biseduan për çështje me interes të ndërsjelltë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës e njohu zyrtarin e lartë kuvajtian me projektet dhe planet e zhvillimit të qytetit të Tiranës. Gjithashtu, të dy palët biseduan edhe për të forcuar marrëdhëniet midis investitorëve të biznesit kuvajtjan dhe atij shqiptar, në veçanti të Tiranës, në funksion të zhvillimit ekonomik të Tiranës dhe krijimit të shanseve për punësimin e qytetarëve të Tiranës. Kryetari i Asamblesë kombëtare të Kuvajtit, shprehu mbështetjen e shtetit të tij për projektet e Bashkisë. Pas takimit, z.Basha dhe kryetari i Asamblesë Kombëtare të Kuvajtit, vizituan sheshin “Skenderbej” dhe panë nga afër punimet në këtë projekt të mundësuar nga ndihma financiare e Emirit të Kuvajtit, z.Sabah Al-Ahmed Al-Sabber Al-Sabah.
“Ishim prezent në Bashkinë e Tiranës, për t’i uruar Kryetarit të ri një punë të mbarë dhe suksese në misionin e tij. Bashkë me të pamë edhe projektin e sheshit të Tiranës, i cili është një dhuratë nga Emiri i Kuvajtit dhe kjo tregon një marrëdhënie të shkëlqyer mes dy qeverive e gjithashtu mes dy popujve. Jam i lumtur që ndodhem sot para jush. Kryetari i Bashkisë më gëzoi shumë. Unë siguroj që do të jetë një sukses dhe jam i lumtur nga ana ime, që dëgjova këto gjëra. Në emrin tim dhe parlamentarëve që na shoqërojnë, i uroj për herë të dytë Kryetarit të Bashkisë, suksese në punën e tij dhe në zellshmërinë e tij, siç duket nga bisedimet që bëmë, në interes të popullit të Tiranës”, tha për mediat Jassim Mohammad Al-Kharaf.
I pyetur për ndryshimin e projektit për qendrën zyrtari i lartë kuvajtian tha: “Unë jam me atë çka i bën mirë popullit të Tiranës dhe Shqipërisë. Nëse vizioni është për të mirën e popullit dhe qytetarëve të Tiranës, politika jonë si kuvajtianë është të mos ndërhyjmë në çështje që i përkasin ekzekutivit”.
Kryebashkiaku Basha deklaroi se e informoi mikun nga Kuvajtu mbi stadin aktual të punimeve për projektin e financuar nga Lartësia e tij, Emiri i Kuvajtit, sheshin “Skënderbej”. “E informova për vendosmërinë tonë, për të përfunduar sa më shpejt fazën e rehabilitimit të këtij sheshi, si një detyrim ndaj qytetarëve të Tiranës, por edhe si si shenjë e përkushtimit tonë, partneritetit dhe seriozitetit tonë, në raport me bujarinë e treguar nga Fondi i Kuvajtit dhe Lartësia e tij Emiri i Kuvajtit. Diskutuam gjithashtu për projekte të tjera të zhvillimit të qytetit të Tiranës dhe për mundësinë e partneritetit të vazhdueshëm në këto projekte. Unë gjeta rastin ta falenderoj Shkëlqesinë e Tij, për ndihmën 20 vjeçare të Shtetit të Kuvajtit, Emirit të Kuvajtit, popullit të Kuvajtit, për Tiranën dhe gjithë Shqipërinë, për ndihmën bujare që është dhënë në këto vite, jo vetëm për infrastrukturën, por edhe projekte në fushën sociale, si dhe për përkushtimin e investitorëve, në veçanti të grupit Al-Kharaf, Presidentit të ndjerë të këtij grupi, si një nga investitorët e parë në Shqipëri, dhe më pas diskutuam për të forcuar marrëdhëniet midis investitorëve të biznesit kuvajtjan dhe atij shqiptar, në veçanti të Tiranës, në funksion të zhvillimit ekonomik të Tiranës dhe krijimit të shanseve për punësimin e qytetarëve të Tiranës”, tha Basha.