English

Ligji i pronave, Gjykata Kushtetuese: Të anulohen tre nene

Tiranë, 7 tetor 2011, NOA/ Albana Qehajaj - Gjykata Kushtetuese zbardhi sot vendimin për shfuqizimin e ligjit “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”. Gjykata i dha të drejtë shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, duke shpallur “Shfuqizimin, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, të neneve 2, 3 dhe 5 të ligjit nr. 10308, datë 22.07.2010 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9235, datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin pronës, i ndryshuar”. Në argumentimin e saj Gjykata vlerëson se, prona si një e drejtë themelore e njohur me Kushtetutë, me ligj dhe me vendim të ish-KKKP-ve, nuk mund të cënohet pa një proces të rregullt ligjor sipas përcaktimeve të nenit 42 të Kushtetutës. Në këtë vështrim, Gjykata vlerëson se vendimet e formës së prerë të ish KKKP-ve, nuk mund të anulohen apo shfuqizohen nga organe administrative. “Në përfundim, Gjykata arrin në konkluzionin se nenet 2, 3 dhe 5 të ligjit objekt kundërshtimi bien ndesh me nenet 4, 41 dhe 42 të Kushtetutës, si dhe me nenin 6/1 të KEDNJ-së dhe nenin 1 të Protokollit nr.1 të saj dhe, si të tilla, duhen shfuqizuar”, thuhet në pikën 56 të vendimit. 52. Gjykata konstaton, gjithashtu, se ligji nr.10308, datë 22.07.2010 i ka njohur Drejtorit të AKKP-së kompetencën që, në përfundim të procedurave të rishikimit të vendimeve të formës së prerë të ish KKKP-ve mbi bazën e subjekteve të përcaktuara shprehimisht nga ligji, jo vetëm t’i shfuqizojë ato vendime, por, sipas rastit, të zgjidhë edhe çështjen në themel. Gjykata rithekson se Drejtori i AKKP-së është një organ monokratik në vartësi të Këshillit të Ministrave dhe jo organ gjyqësor ose quasi gjyqësor, i cili mund të zbatojë parimet e shfuqizimit ose rishikimit të akteve të ish KKKP-ve. Ligji objekt kundërshtimi synon të ndreqë paligjshmëritë në procesin e njohjes e kthimit dhe jo shpronësimin apo kufizime të të drejtës së pronësisë që barazohet me shpronësimin. Gjykata Kushtetuese e rrëzon për të dytën herë dhe të njëjtën arsye ligjin e Qeverisë “Berisha” “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”. “Pronësi me Drejtësi” dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit kërkuan pezullimin e zbatimit të ligjit. a.q/NOA

KOMENTE