English

Mungesa e kushteve

Nga Albin Kurti

Bisedimet me Serbinë pa kushte, për Serbinë janë sinjal që ajo s’ka nevojë të ndryshojë. Serbia, e këtillë çfarë është dhe kështu siç është, u bë e pranueshme për Qeverinë e Kosovës përmes këtyre bisedimeve në Bruksel. Këto bisedime janë marrëdhënia e Qeverisë së Kosovës me Serbinë e atillë çfarë vetë Serbia është dhe dëshiron të jetë. Nëpërmjet këtij pranimi, Qeveria e Kosovës e ka konfirmuar Serbinë në sovranitetin e saj. Mungesa e kushteve për Serbinë do të thotë paprekshmëri për subjektivitetin e saj politik dhe historik. Me këso pranimi të Serbisë pa kurrfarë kushtesh, Qeveria e Kosovës e ka kontestuar Kosovën në pavarësinë e saj. Duke mos e kontestuar Serbinë që na konteston, gjithsesi po përfundojmë të kontestuar vetë ne. Qeveria e Kosovës ka pranuar të bisedojë me Serbinë së cilës i dihen botërisht krimet e saj nga e kaluara në Kosovë, obstruksionet aktuale përmes strukturave ilegale dhe armiqësore në Kosovë, si dhe pretendimet territoriale jo vetëm në veri të Kosovës. Para çfarëdo hamendësimesh nëse Serbia do ta pranojë Kosovën në fund të bisedimeve, është Kosova ajo që tashmë e pranoi Serbinë me fillimin e këtyre bisedimeve. Pranimi i Serbisë nga Kosova nuk mund t’i ndihmojë pranimit të Kosovës nga Serbia. Sepse është pranuar Serbia që nuk e pranon Kosovën, një Serbi e vetëpërkufizuar në llogari të Kosovës. Shteti i Serbisë e ka të kodifikuar gjithandej mosnjohjen e Kosovës: prej Kushtetutës dhe ligjeve të saj e deri te politikat ditore të zyrtarëve dhe nëpunësve të saj. Njohja e Serbisë është edhe njohje e mosnjohjes së saj për Kosovën. Sa më shumë që ta njohim Serbinë, aq më pak do ta njohim veten. Tek e fundit, Serbia njëmend të njeh vetëm atëherë kur pas asaj njohje s’e njeh dot veten. Bosnja na e ka dëshmuar këtë. Serbia e Slobodan Milosheviçit e njohu Bosnjen e Alija Izetbegoviqit atëherë kur kjo Bosnje s’e njihte veten e saj më. Vetëm pas një shpërfytyrimi të Bosnjes përmes Republikës Serbe brenda saj, ajo u njoh nga Serbia. Vetëm kur Bosnja s’ishte më Bosnje ajo u njoh si Bosnje nga Serbia. Qeveria e Kosovës duke hyrë në bisedime me Serbinë pa i vënë asaj kushte, e ka shfajësuar Serbinë pa e fajësuar atë njëherë. Dihet që Kosova nuk e vuri asnjëherë Serbinë para gjyqit. Përkundrazi: në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë ishte Serbia ajo e cila e solli Kosovën para gjyqit. Pas vendimit të kësaj gjykate në formën e mendimit këshillues, të gjithë shqiptarët u gëzuan që shpëtuam (edhe njëherë) prej Serbisë. Ne vazhdojmë të shpëtojmë prej Serbisë pa ngadhënjyer mbi Serbinë. Kështu, Serbia s’ka pse i kërkon falje Kosovës, sepse Qeveria e Kosovës tashmë ia ka falur asaj pa kërkuar falje ajo. Bisedimet me Serbinë pa kushte për Serbinë e pamundësojnë kërkim faljen e Serbisë sepse këto bisedime janë falje për Serbinë. Ato ia mundësojnë një fillim të ri Serbisë së vjetër. Përderisa bisedohet me Serbinë pa kushte për të, ajo patjetër që do të inkurajohet të vendos kushte. Andaj Serbia hyn e del prej bisedimeve me Kosovën kur t’i teket asaj, ndërsa Qeveria e Kosovës qëndron gatitu në pritje të zbutjes së zemërimit të saj. Duke i pranuar bisedimet me Serbinë, Qeveria e Kosovës jo vetëm që e ka pranuar Serbinë, por e ka pranuar edhe Serbinë e Serbisë dhe Serbinë sipas Serbisë. Për Qeverinë e Kosovës, Serbia është çështje e brendshme e Serbisë. Dhe, për Qeverinë e Kosovës, qëndrimet e Serbisë për Kosovën, e kaluara e Serbisë karshi Kosovës, dhe planet e Serbisë për Kosovën, po ashtu janë çështje të brendshme të Serbisë. Edhe Serbia e jashtme është Serbi e brendshme për Qeverinë e Kosovës. Bisedimet pa kushte për Serbinë pashmangshëm janë bërë bisedime për çështje të brendshme të Kosovës. Serbia e pakushtëzuar për diskutim i ka kushtëzuar temat e diskutimit. Pasi që nuk iu vunë kushte Serbisë, apetitet hegjemoniste të saj imponuan kushte. Tash, çështjet e brendshme të Kosovës janë në pyetje. Regjistrat civilë dhe dokumentacioni kadastral i Kosovës, diplomat e universiteteve dhe vulat e Doganave të Kosovës, energjia dhe telekomunikacioni në Kosovë, janë çështje të brendshme të Kosovës. Asnjë shtet i pavarur e sovran nuk i diskuton me tjetërkënd këto çështje. Çdo shtet i pavarur e sovran, duke qenë i pavarur e sovran, i zhvillon si tema të brendshme këto çështje. Mirëpo, që të gjitha këto janë bërë tema diskutimi në bisedimet me Serbinë. Meqë Serbia e trajton Kosovën si një çështje të brendshme të saj, pranimi i bisedimeve me Serbinë pa kushte për të, patjetër që ka shpier në bisedime për çështje të brendshme të Kosovës. Kur Serbia pranohet me gjithë aspiratat e saj ekspanzioniste ndaj Kosovës, atëherë vetë Kosova (si shumësi çështjesh të brendshme të saj) përsëri vihet në pikëpyetje. Kjo është arsyeja pse me këto bisedime po kthehemi në gjendjen para shpalljes së pavarësisë. Shpallja e pavarësisë e bën ndarjen e punëve të brendshme prej atyre të jashtme. Duke hyrë në bisedime me Serbinë, të tillë çfarë e kemi njohur gjithmonë Serbinë, po zhduket ky kufi ndarës. Sa më shumë që politika e jashtme e Kosovës e përfaqësuar nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri zhvillon bisedime me Serbinë pa kushtëzime paraprake, aq më tepër inkurajohet Serbia dhe strukturat e saj në Kosovë dhe aq më shumë punë (që s'do t'i kryejë) do të ketë ministri i brendshëm Bajram Rexhepi. Me bisedime pa kushte për Serbinë fitojmë bisedime për çështje të brendshme të Kosovës. Dhe, këto bisedime si marrëdhënie të lirshme e të reja midis Kosovës e Serbisë ribëjnë atë mënyrën e vjetër dhe të shtrenjtë ku Serbia merr e Kosova veçse jep. Për normalizimin e propaganduar të marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë sigurisht që nuk duhet të ndryshojë Kosova por Serbia. Bisedimet e deritanishme në Bruksel po e ndryshojnë Kosovën dhe jo Serbinë. S’ka mundur të jetë ndryshe teksa kërkohen dakordime me Serbinë e pakushtëzuar për çështje të brendshme të Kosovës. Serbia e pakushtëzuar është Serbi e pandryshuar.

KOMENTE