English

Paradoksi, BE: 8 anije moderne Shqipërisë. Qeveria: Morëm 7 anije

Vlorë, 7 tetor 2011 NOA - Në Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit në Radhimë të Vlorës sot është kryer ceremonia e marrjes nga qeveria shqiptare të disa anijeve moderne patrullimi. Gjatë ceremonisë u përurua dhe godina e re e Repartit Delta Forcë, e financuar nga qeveria shqiptare. Delegacioni i Bashkimit Evropian në dy komunikata të njëpasnjëshme zyrtare tha se i ka dhënë autoriteteve shqiptare tetë anije të tilla. Por sipas njoftimit të Qeverisë e po ashtu edhe të Ministrisë së Brendshme, janë shtatë anije moderne për të cilat sot u bë përurimi. Në një komunikatë për mediat, Delegacioni i Bashkimit Evropian tha se “BE-ja mbështet kontrollin efektiv të kufirit detar me 8 anije patrullimi moderne të shpejtësisë të larë për policinë shqiptare dhe doganat”. Ndaj BE vlerëson se “Policia shqiptare dhe doganat tani janë të pajisur me anije patrullimi moderne për të mundësuar kontrollin efektiv të kufirit detar, në sajë të një ndihme prej më shumë se 3.000.000 euro të Bashkimit Evropian”. Por ndryshe nga njoftimi i BE, ai i Këshillit të Ministrave flet për 7 anije: “Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në ceremoninë e dorëzimit Policisë Kufitare të 7 mjeteve të reja të lundrimit, të financuara nga Komisionit Europian, në vlerën e 3.200 000 Euro”. Berisha citohet dhe në deklaratën e mëposhtme që përforcon shifrën 7 të anijeve: “Sot, ne jemi në një ceremoni, në të cilën Komisioni Europian ju dhuron 7 anije të vogla të teknologjisë më të fundit dhe me të gjitha pajisjet e domosdoshme, për një kontroll më eficent të vijës sonë bregdetare”. Edhe njoftimi i mbërritur nga Ministri i Brendshëm Bujar Nishani, flet për 7 anije: “Policia Kufitare dhe Migracionit mori në dorëzim 7 mjete lundruese për mbikëqyrjen e hapësirës detare”. Duke qenë se një anije e tillë kushton jo më pak se 400 mijë euro, ajo që duhet sqaruar për publikun, qoftë nga BE qoftë nga qeveria, është se sa anije në të vërtetë mbërritën si dhuratë e Bashkimit Evropian dhe se kush gaboi në këtë pikë. *** Ne ceremoni gjendeshin Shefi i Delegacionit te Bashkimit Evropian ne Tirane, Ambasadori Ettore Sequi, Kryeministri Sali Berisha, si dhe Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani. *** Gjatë ceremonisë së dorëzimit të anijeve të patrullimit në Vlorë, Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ambasadori Ettore Sequi, nënvizoi se kontrolli efektiv i kufijve është një shqetësim dhe sfidë ndërkombëtare. Ai theksoi se "Nëpërmjet punës intensive dhe vendosmërisë, Shtetet Anëtare të Bashkimit Evropian e tejkaluan këtë sfidë me qëllim që të mundësojnë lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve të cilat i gëzojmë sot. Shqipëria do të jetë në gjendje të gëzojë plotësisht këto liri, duke treguar se është një partner i besueshëm në përpjekjet ndërkombëtare kundër trafikut ilegal dhe kontrabandës". Ambasadori Sequi theksoi punën e mirë të bërë deri tani për kontrollin e kufirit, në kuadrin e procesit të liberalizimit të vizave dhe nënvizoi se "është vendosmëria dhe përkushtimi i autoriteteve shqiptare që do të ndikojë në qëndrueshmërinë e këtyre arritjeve, si dhe në regjimin e lirë të vizave". *** Anijet e patrullimit së bashku me mbështetjen e BE-së për të përmirësuar aspektet e tjera të infrastrukturës, pritet të ndihmojnë autoritetet shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme. Autoritetet shqiptare tani kanë kushtet e nevojshme fizike për t'u përqendruar në forcimin e koordinimit ndër-institucional për kontrollin e efektiv të kufirit. Menaxhimi i kufijve është vendimtar për forcimin e sundimit të ligjit, në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme, që janë një nga 12 prioritetet kyçe që Shqipëria ka nevojë të plotësojë në mënyrë që të fitojë statusin e vendit kandidatit të Bashkimit Evropian. BE-ja ka ndihmuar Shqipërinë për të siguruar kufijtë e saj, për t'i bërë ato më pak të depërtueshme për kriminelët, nëpërmjet përmirësimit të infrastrukturës si dhe nëpërmjet burimeve njerëzore dhe bashkëpunimit ndërinstitucional. *** Gjatë ceremonisë, Kryeministri vizitoi ambientet e brendshme të Repartit dhe iu bë një prezantim i shkurtër i specifikave teknike të mjeteve të reja lundruese ku u theksua se këto mjete janë prodhim i vitit të fundit, kanë shpejtësi të madhe dhe mund të lundrojnë edhe në kushte të vështira atmosferike. Këto mjete rrisin kapacitetet logjistike të Policisë sonë Kufitare, për mbikëqyrjen e hapësirës detare. Mjetet e lundrimit janë prodhim i vitit 2011 dhe kanë si karakteristikë kryesore të tyre shpejtësinë madhe të lundrimi, si dhe aftësinë për të lundruar edhe në det me shkallë të lartë vështirësie. Berisha shprehu mirënjohjen për vendet anëtare të Bashkimit Europian për ndihmën e dhënë nëpërmjet Komisionit Europian dhe siguroi se kjo ndihmë do të përdoret me profesionalizëm e eficencë, për t’i bërë ujërat tonë më të sigurta, sikundër për të bërë më të sigurta edhe vendet mike. e.t/NOA

KOMENTE