Tiranë, 7 tetor 2011, NOA- Sipas MeteoAlb, situata e motit të paqëndrueshëm do të na shoqërojë në vendin tonë gjatë ditës së nesërme. Që në orët e para të mëngjesit vranësirat dhe shirat do të jenë dominuese në të gjithë Shqipërinë. Më problematike do të jenë veriu dhe veriperëndimi i territorit ku reshjet do të jenë intensive, në këto zona do të ketë edhe stuhi të forta ere dhe shkarkesa me rrufe. Pjesa e dytë e ditës do të sjellë fuqizim të mëtejshëm të vranësirave dhe shirave në të gjithë vendin ku situata do të përkeqësohet në pjesën jugore dhe juglindore të vendit pasi në këto zona do të bien shira të konsiderueshëm. Edhe gjatë natës shirat do të jenë me intensitet të lartë pothuajse në të gjithë vendin sidomos në juglindje të territorit. Ndërsa për sa i përket situatë termike, Temperaturat e ajrit do të bien me 4 grade celcius në vlerat e mesditës. Era do të fryjë e fortë në tokë dhe në det me shpejtësi 50 km/h dhe drejtim Verilindor, kjo do të bëjë që në det dallgëzimi të arrijë deri në 4 - 5 ballë. Europa Nesër, Europa veriore, verilindore si edhe ishujt britanike do të karakterizohen nga kushte të paqëndrueshëm atmosferike ku vranësirat dhe shirat me intensitet të lartë do të dominojnë këto rajone. Shira më të dendur do të bien në Norvegji, Suedi dhe Britani, në pjesën veriore të Norvegjisë do të ketë edhe reshje të pakta dëbore. Po ashtu vranësirat dhe shirat do të përfshijnë Europen qendrore, vendet e Balltikut si edhe Ballkanin Lindor, kjo si pasojë e vendosjes së një qendre me presion të ulët atmosferik mbi gadishullin e Ballkanit. Shira në formë rrebeshi dhe temperatura të uëlta do të ketë në zonën e Alpeve të cilat do të shoqërohen herë pas here me rrufe. Ndërsa Europa Jugperëndimore do të mbetet me kushte të qëndrueshme atmosferike pasi kthjellimet do të jenë dominuese në këto vende.
Ngjarje ekstreme në Europë: - Ballkani Verior rrezikon shira intensive dhe shkarkesa rrufesh - Zona e Alpeve rrezikohet nga shira të dendur dhe temperatura të ulëta - Skandinavia alarmon shira të konsiderueshëm dhe dëborë të pakët a.y/NOA