Vlorë, 7 tetor 2011, NOA – Policia Kufitare që prej ditës së sotme ka në zotërim 8 anije patrullimi të cilat kapin një vlerë prej 3.000.000 € , pjesë e ndihmës së Bashkimit Evropian. Anijet e patrullimit së bashku me mbështetjen e BE-së për të përmirësuar aspektet e tjera të infrastrukturës, pritet të ndihmojnë autoritetet shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme. Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ambasadori Etore Sekui, nënvizoi se kontrolli efektiv i kufijve është një shqetësim dhe sfidë ndërkombëtare. "Nëpërmjet punës intensive dhe vendosmërisë, Shtetet Anëtare të Bashkimit Evropian e tejkaluan këtë sfidë me qëllim që të mundësojnë lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe shëbimeve të cilat i gëzojmë sot. Shqipëria do të jetë në gjendje të gëzojë plotësisht këto liri, duke treguar se është një partner i besueshëm në përpjekjet ndërkombëtare kundër trafikut ilegal dhe kontrabandës", deklaroi Sekui.
Menaxhimi i kufijve është vendimtar për forcimin e sundimit të ligjit, në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme, që janë një nga 12 prioritetet kyçe që Shqiperia ka nevojë të plotësojë në mënyrë që të fitojë statusin e vendit kandidatit të Bashkimit Evropian. Në korrik të këtij viti, një nga 17 stacionet e rinovuara të Policisë Kufitare, dhe një nga 10 pikë kalimet e reja kufitare u përurua në Pogradec dhe Tushemisht, përkatësisht si pjesë e ndihmës prej 6.000.000 € nga taksapaguesit e BE-së për të përmirësuar menaxhimin e kufijve të Shqipërisë. a.q/NOA