Strasburg, 7 tetot 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Rezoluta e Asamblesë Parlamentare e Këshillit të Europës e miratuar mbrëmjen e djeshme për Ballkanin, në pjesën për Shqipërinë kritikon bojkotin e Partisë Socialiste duke thënë se ka penguar procesin integrues dhe reformat në vend. Kjo rezolutë e miratuar pas raportit të suedezit Bjorn von Sydow, kërkon që palët të punojnë së bashku për normalizimin e situatës politike në vend. Sipas njoftimit zyrtar të KiE-së, thuhet se për sa i përket vendit tonë, rezoluta mirëpret përfundimin zyrtar të zgjedhjeve lokale 2011 ndërsa vihet në dukje angazhimi i kreut të Partisë Socialiste për t’i dhënë fund bojkotit në parlament. Më tej theksohet se të gjitha partitë duhet të forcojnë pa vonesë, funksionimin e tyre të brendshëm, të punojnë drejt normalizimit të situatës politike dhe të nisin dialogun politik brenda parlamentit mbi reformat kyçe që duhen ndërmarrë për integrimin në Bashkimin Europian. Ndër të tjera rezoluta përshëndet marrëveshjen e arritur mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste për të vazhduar punën me reformën zgjedhore dhe i bën thirrje atyre të sigurojnë që reforma të ketë parasysh problemet dhe të metat që u hasën si në zgjedhjet e mëparshme. Lidhur me procesin e reformës elektorale, në rezolutë thuhet se duhet të merret parasysh edhe opinioni i Komisionit të Venecias. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës miratoi mbrëmë me 63 vota pro dhe 4 kundër rezolutën mbi situatën politike në Ballkan. a.y/NOA