English

Topi- Al-Karafi: Investime dhe bashkëpunim ekonomik

Tiranë, 7 tetor 2011, NOA- Presidenti i vendit Bamir Topi priti sot në takim, Kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Kuvajtit, Jasim Mohamad Al-Karafi dhe delegacionin parlamentar që e shoqëron gjatë të vizitës zyrtare në vendin tonë. Gjatë takimit Presidenti Topi vlerësoi se, vizita të nivelit të lartë të përfaqësuesve të dy vendeve, nxisin zhvillimin e kontakteve të rregullta dypalëshe, sidomos bashkëpunimin në rritje parlamentar. “Shteti shqiptar është i angazhuar seriozisht për forcimin e bashkëpunimit të mëtejshëm mes dy vendeve tona, i rëndësishëm është dialogu dhe komunikimi të vazhdueshëm mes strukturave të ndryshme institucionale për gjetjen e mundësive dhe hapësirave të reja të bashkëveprimit, sidomos atij ekonomik, të investimeve në infrastrukturë dhe në segmente të tjera me interes të përbashkët”, u shpreh Presidenti Topi. Në vijim Kryetari i Shtetit Shqiptar dhe Kryeparlamentari kuvajtjan vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve tona dhe theksuan se shkëmbimi i vizitave në nivelet më të larta do t’i shërbente forcimit dhe thellimit të mëtejshëm të tyre. Ndërkaq nga ana e tij, Al-Karafi, shprehu mirënjohjen për mikpritjen e ngrohtë gjetur në gjithë institucionet nga drejtuesit e lartë të shtetit shqiptar gjatë kësaj vizite në Shqipëri dhe për të gjithë gatishmërinë e shprehur prej tyre për një bashkëpunim të mëtejshëm mes Kuvajtit dhe Shqipërisë. Al-Karafi theksoi vazhdimësinë e mbështetjes së Kuvajtit, dhe në kuadër të Fondit Kuvajtjan për Zhvillim, për projektet në vendin tonë në fushën e arsimit, turizmit, mundësinë e vendosjes së një linje ajrore direkte, si dhe në fushën infrastrukturore, sidomos për realizimin e suksesshëm dhe me seriozitet të projektin konkret në qendrën e Tiranës. a.y/NOA

Në foto: Presidenti Bamir Topi gjatë takimit me Jasim Mohamad Al-Karafi

KOMENTE