Tiranë, 8 tetor 2011, NOA- Aleanca Kuq e Zi ka denoncuar gjatë ditës së sotme dështimin e censusit, i njohur ndryshe si regjistrimi i popullsisë. Në këtë linjë thuhet se rreth 39-40 pyetje nuk janë në interes të shqiptarëve, duke shtuar se pyetjet për etninë dhe fenë janë për interes të Athinës. “Nga të dhënat tona deri tani, 40% e qytetarëve kanë refuzuar ti përgjigjen pyetjeve mbi kombësinë dhe fenë (refuzim i cili ka qenë i përgjithshëm ose i pjesshëm). Që nga sot tentativa për të vendosur pyetjet mbi kombësinë dhe mbi fenë kundër vullnetit të popullit dhe kundër parimeve Kushtetuese, mund të quhet e dështuar. E themi këtë pasi sipas udhëzimit të Eurostat të gjithë shtetet që kryejnë regjistrimin duhet të mbajnë parasysh se ato pyetje të cilave më shumë se 5% e të anketuarve refuzojnë tu përgjigjet nuk merren parasysh në raportin final, pra bëhen nul”, u shpreh përfaqësuesi i aleancës, Endrit Shabani. Në vijim shprehet keqardhje që 13 milion euro u shpërdoruan për disa teka të fqinjëve, ndërkohë që pyetjet mbi kombësinë dhe fenë nuk do të kenë asnjë impakt real, por thjesht do të jenë disa të dhëna të pasakta që mbase do të nxjerrin se sa popull i pasur jemi ne shqiptarët. Sipas AK, ky ishte fundi i një procesi në mungesë të plotë transparence që iu kundërvu vullnetit popullor duke hedhur në kosh mijëra nënshkrime të qytetarëve së bashku me paratë e tyre. Në përfundim nga ana e Aleancës Kuq e Zi u bë thirrje ndaj qytetarëve që të mos u përgjigjen pyetjeve mbi kombësinë dhe mbi fenë të sigurohen që anketuesit të vendosin kryq tek kuadrati “preferoj të mos përgjigjem”. a.y/NOA