Pragë, 8 tetor, NOA - Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga udhëtoi dje për në Pragë të Çekisë, me ftesë të ish-presidentit çek Vasllav Havel, për të marrë pjesë në punimet treditore të “Forumit 2000”. Jahjaga është ftuar të marrë pjesë në këtë forum ku do të mbajë një fjalë dhe do të marrë pjesë në debat në temat që do të trajtohet në këtë forum, që janë Perspektivat e demokracisë dhe sundimi i ligjit në shekullin XXI, Sundimi i ligjit dhe performanca globale ekonomike, Demokracia dhe sundimi i ligjit – legaliteti dhe legjitimiteti, Zhvillimi dhe qeverisja e mirë, Biznesi dhe korrupsioni, etj. Në punimet e këtij forumi, në të cilin presidentja e Kosovës është ftuar si paneliste, do të marrin pjesë personalitete të njohura dhe ekspertë të fushave të caktuara, ndër të cilët Vacllav Havel, Eli Vizel, laureat i Çmimit Nobel, Jozef Stiglic, laureat i Çmimit Nobel për ekonomi, Zhak Rupnik, politolog i njohur, Adam Mihnik, publicist, Mihail Sakashvilli, kryetar i Gjeorgjisë dhe personalitete të tjera. Edhe pse programi i presidentes Jahjaga nuk është shtetëror, ajo ka vendosur të vërë një tufë lulesh në përmendoren e Jan Pallahut, studentit çek që u flijua me djegie publike, duke u bërë simbol i Pranverës së Pragës, si simbol i lëvizjeve antikomuniste dhe i përpjekjeve për çlirim dhe për vendosje të demokracisë në shumë vende të Evropës. Nga shtypi çek, merret vesh se gjatë tri ditëve të punimeve të “Forumit 2000”, do të organizohet një protestë kundër ardhjes së presidentes Jahjaga dhe kundër pavarësisë së Kosovës. Organizator i kësaj proteste është Jarosllav Foldyna, i Partisë Socialdemokrate Çeke, së bashku me organizatën e miqve serbë në Çeki, njofton Zyra e informacionit pranë Presidencës. NOA