Tiranë, 8 Tetor 2011 NOA – Në pallatin e Kongreseve po zhvillohet panairi “Work & Study”, një organizim i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, me mbështetjen e ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe pjesëmarrjen e sipërmarrjeve të ndryshme private. Në kuadrin e këtij panairi, sot u zhvillua edhe Konferenca mbi Javën Evropiane të SME-ve ku u trajtuan “Projekti i te mësuarit mbi sipërmarrjen” nga Cooperacioni Italian, “Akses financimi për SME-të”, Programe Zhvillimi Italo-Shqiptare për linjën e kredive të lehta PMU/METE/Italian Cooperation. Po kështu u bë edhe prezantimi i AIDA, QKL dhe QKR mbi mundësitë qe afrohen për të bërë biznes në Shqipëri. Gjatë ditës së sotme të panairit, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tirane ka nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit me një universitet privat. Dita e dytë e panairit Work & Study pati prani të konsiderueshme vizitorësh sot në Pallatin e Kongreseve, sigurisht edhe për nga vetë prania e shumë institucioneve shtetërore, bankare, universiteteve publike dhe jo-publike. Në këtë panair vihet re një prezencë e gjerë e biznesit italian, kryesisht të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të cilat kohët e fundit kanë përfituar grante të ndryshme financiare në kuadrin e projektit të Cooperazionit Italian. Për të promovuar këtë iniciativë të Qeverisë Italiane, e ftuar speciale e Veneto Banka, bankë partnere e projektit, pjesëmarrëse me një stendë të saj në këtë panair, ishte edhe parlamentarja italiane Irene Pivetti. Deputetja Pivetti shprehu me superlativa mbështetjen që kjo bankë po i jep projekteve të ndryshme të zhvillimit të biznesit italian në Shqipëri, si në sektorin fazon, turizëm, bujqësi dhe industri të ndryshme. Ky panair sipas organizatorëve, është kthyer në një gërshetim të interesit dypalësh të grupeve të interesit, pra atij për punësim kryesisht studentë apo shtresa të tjera të interesuara, me biznesin ky mjaft i pranishëm dhe me aktivitete konkrete promovimi si tryeza apo konferenca të ndryshme, prezantime projektesh dhe sipërmarrjesh, etj. e.t/NOA