English

Përkujtohet mbreti Ahmet Zog në përvjetorin e 116-të të lindjes

Tiranë, 8 tetor 2011, NOA – Sot u përkujtua 116 vjetori i lindjes së mbretit Zog I, arkitekti i shtetit modern shqiptar, në vitet ’30 të shekullit të shkuar. Mbështetës të monarkisë shqiptare u mblodhën në mjediset e Shtëpisë së Ushtrisë në kryeqytet duke përkujtuar mbretin e shqiptarëve Ahmet Zogu, i cili u lind në 8 tetorin e vitit 1895 në Burgajet të Matit, si i biri i Xhemal Zogut dhe Sadije Toptanit, e njohur pas mbretërimit të mbretit Zog si nëna mbretëreshë. Në aktivitetin e organizuar në këtë ditë të shënuar për trashëgimtarët e familjes mbretërore shqiptare mori pjesë edhe Lartësia e Tij Princi Leka II, ish-drejtues dhe eksponentë të Legalitetit si dhe u mblodh Këshilli Kombëtar i PLL-së. Takimin e hapi kryetari i Këshillit Kombëtar Nebi Ganellari, ndërsa për jetën dhe veprën e Mbretit Zog I, foli Prof. Nderim Kupi. Kryetari i PLL-së Ekrem Spahia u shpreh se mbreti Ahmet Zog shpalosi si askush tjetër patriotizmin e kulluar, aftësitë ushtarake dhe shtet-ndërtuese, vizionin e qartë politik për një shtet modern dhe brenda familjes evropiane. “Mbreti Zog I ishte politikan që njohu mjaft mirë psikologjinë e kombit dhe të gjitha energjitë i vuri në shërbim të popullit të vet; kuptoi domosdoshmërinë e shkëputjes së Shqipërisë nga e kaluara orientale dhe në mënyrë të guximshme kreu reforma të thella me profil të qartë perëndimor; ai ishte politikani që kuptoi shumë shpejt rrezikun e komunizmit që po përhapej në Evropë dhe bëri çmos që ai të mos zinte vend në trojet shqiptare; ai ishte burri i shtetit që u përball me atentate, kryengritje, por që asnjëherë nuk u tërhoq nga rruga e tij, e cila brenda pak vitesh do ta shndërronte Shqipërinë në një shtet të parametrave evropiane”, theksoi Spahia. Gjatë aktivitetit Spahia foli edhe për nismën më të re të PLL-së, ku në kuadër të festimeve për 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së shtetit shqiptar dhe projektit të ri për qendrën e Tiranës, këshilltarët e PLL-së në Bashkinë e Tiranës do të kërkojnë vendosjen e monumentit të Mbretit Zog në hyrje të bulevardit të Tiranës që mban emrin e Tij. “Mbreti Zog ka lënë shumë gjëra të çmuara, por mbi të gjitha na ka lënë zogizmin, këtë filozofi ndërtuese dhe zhvilluese mbarë-kombëtare. Kjo filozofi është transmetuar gjenetikisht tek pasardhësit e Tij, Mbreti Leka dhe Princi Leka II e do të transmetohet brez pas brezi. Monarkia Shqiptare nuk është një kapitull i mbyllur dhe thjesht pjesë e historisë, por ajo është nevojë e kohës dhe realitet i afërt”, tha ai. Kreu i PLL-së foli edhe për rezultatin e PLL-së në zgjedhjet e 8 majit, ku PLL fitoi në rang vendi 37.832 vota, duke shtuar se PLL është e përfaqësuar politikisht me kryetarë komunash, kryetarë këshillash, anëtarë qarku dhe këshilltarë pothuajse në të gjitha njësitë vendore. Spahia në fjalën e tij u ndal edhe tek bllokimi në parlament i projektligjeve që kërkojnë 3/5 e votave pra 84 vota në Kuvend, duke e cilësuar këtë si bllokim të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Duke u fokusuar në Reformën Zgjedhore, Spahia shprehu qëndrimin e Partisë Lëvizja e Legalitetit për një reformë të plotë, e cila duhet të prekë njëherazi sistemin dhe kodin zgjedhor. Sipas tij, ngushtimi i përfaqësimit parlamentar dhe monopolizimi i skenës politike përmes manovrave ligjore në dëm të partive të vogla dhe interesave të elektoratit që ato përfaqësojnë, bien ndesh me pluralizmin politik. Kryetari i PLL-së Ekrem Spahia prezantoi edhe një projekt që lidhet me 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, për të cilin Spahia tha se duhet ta gjejë klasën politike në hapësirën mbarë-shqiptare të unifikuar dhe pro opsionit për Bashkim Kombëtar. Spahiu shtoi se në mbështetje të kësaj, PLL do të iniciojë një tryezë mbarë-kombëtare për të diskutuar për këtë çështje. mit/NOA

KOMENTE