Tiranë, 8 tetor 2011, NOA- Presidenti i vendit Bamir Topi ka dekoruar aktorin e njohur Reshat Arbana me Urdhrin “Nderi i Kombit”. Gjatë një ceremonie të organizuar me këtë rast mbrëmjen e djeshme ishin mbledhur bashkë miq, familjarë, kolegë të aktorit si dhe intelektualë dhe artdashës së vendit. Presidenti i dorëzoi aktorit Arbana urdhrin e lartë dhe dekretin përkatës në shenjë vlerësimi me motivacionin: "Aktorit të shquar të teatrit dhe kinematografisë, i cili me interpretimin mjeshtëror dhe origjinalitetin e tij u bë një artist popullor e shumë i dashur për publikun, rolet e të cilit kanë pasuruar me vlera të reja kulturën kombëtare.” Në fjalën e mbajtur me këtë rast Kreu i Shtetit u shpreh se, “Duke parë një vepër që ka mbetur në memorien e kombit dhe duke pasur parasysh faktin që juve ju duan njerëzit në Shqipëri, shqiptarët në Kosovë e Maqedoni, në Mal të Zi e në diasporë., kudo. Keni interpretuar dhjetëra filma, keni interpretuar vepra të Fishtës, të Ali Asllanit, por edhe të njerëzve të thjeshtë. Sinqerisht asnjëherë nuk ju kam parë më të emocionuar se sa sonte. Juve ju duan, sepse kanë arsye t’ju duan, sepse ju jeni një aktor i madh dhe sepse keni mbetur shumë i thjeshtë dhe jeni një njeri fisnik. Ju jeni pjesë e tyre dhe kam një detyrim institucional, por edhe nëse do të kisha qenë pjesë e thjeshtë e shoqërisë, do të isha bërë pjesë e propozimit për t’ju dhënë këtë titull.” Nga ana e tij aktori i njohur shqiptar përmes emocionesh shprehu mirënjohjen dhe falenderimin për vlerësimin e bërë. a.y/NOA
Në foto: Presidenti Topi dhe aktori Reshat Arbana gjatë dekorimit