English

Rama, letër për Withers: Wikileaks na ka rrënqethur

Tiranë, 8 Tetor 2011 NOA Update – Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama vjen me një letër të hapur për ish ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Xhon Uidhers. Rama thotë se dalja në dritë e shumë fakteve rrënqethëse prej publikimit të kabllogrameve të Ambasadës Amerikane, shkak për të cilën u bë një pirateri e dënueshme dhe e dënuar me të drejtë botërisht nga SHBA, e ka pështjelluar opinionin publik shqiptar me të vërteta të njohura botërisht e fakte të paditura më parë. “Por mbi të gjitha, - thekson Rama, - u ka dhënë gjithë shqiptarëve një provë të re, të qartë si drita e diellit, për vëmendjen e jashtëzakonshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj vendit tonë. Për seriozitetin mbresëlënës me të cilin shteti juaj vlerëson çdo detaj të problematikës së zhvillimeve në vendin tonë. Për shqetësimin e pandërprerë të shtetit tuaj që punët e vështira të demokratizimit të Shqipërisë të shkojnë përherë në drejtimin e duhur”. Më poshtë vijon letra e plotë e z.Rama dhe më tej letra e hapur e z.Withers: Letra e Ramës: Fort i nderuari Ambasador Withers, Ju shkruaj në emër të shumë njerëzve që e lexuan me vëmendje e respekt të thellë letrën tuaj publike dhe dëshiroj t’ju them, që në krye të herës, se të gjithë ata që unë njoh ruajnë prej jush mbresat e shkëlqyera të një miqësie të posaçme, të cilën ju e ndërtuat me shqiptarët në vitet e shërbimit tuaj këtu si një shprehje të prekshme të miqësisë së madhe mes Shqipërisë e Shteteve të Bashkuara. Ju do të mbaheni mend gjithnjë me respekt nga shqiptarët dhe do mbeteni në kujtesën e tyre, si zëdhënës i admiruar i ndjenjave të popullit amerikan ndaj popullit shqiptar dhe përçues i vlerave të paçmueshme të demokracisë amerikane, i interesimit të veçantë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara për ecurinë demokratike të Shqipërisë dhe i mbështetjes së pakursyer të shtetit tuaj në sfidat tona drejt NATOS e Bashkimit Europian. Po njësoj do të mbeteni edhe për mua një njeri i nderuar, shembull për t’u marrë në shërbimin e devotshëm ndaj funksionit publik, i hapur e i drejtpërdrejtë në opinionet dhe kritikat ndaj bashkëbiseduesit, gjithmonë me ngrohtësinë e një miku që asnjëherë nuk la vend për të ngatërruar miqësinë me punën në shërbim të interesave të vendit të vet, për të mirën e vendit tonë. I kujtoj i dashur mik bisedat tona të shumta gjithnjë interesante dhe do ta çmoj gjithnjë sinqeritetin e tyre, ky i sotmi është rasti për të thënë se koha ju ka dhënë të drejtë edhe për ndonjë çështje ku nuk kemi pasur dakordësinë që ka karakterizuar vijimësisht marrëdhënien tonë të punës. Ju jam mirënjohës për këndvështrimet kritike që dashamirësisht më keni bërë me dije, në ato raste të pakta por jo të parëndësishme kur na është dashur të debatojmë për ecurinë e punëve në këtë vend, dhe ju siguroj se e vlerësoj si një nderim ndaj miqësisë sonë të qenit tuaj i drejtpërdrejtë në shprehjen e mosdakordësisë për të ndihmuar në mbarëvajtjen e gjërave. Letra juaj publike ceku një çështje delikate, shumë të nxehtë e të shumëdiskutuar në mjedisin shqiptar, por çka vlen si fjalëkyçi i saj është nënvizimi prej jush i faktit të patjetërsueshëm se Shtetet e Bashkuara thonë të vërtetën. E në të vërtetë kjo i ka bërë Shtetet e Bashkuara mikun më të madh të të gjithë qytetarëve të kësaj bote që aspirojnë liri, të drejta, demokraci e mirëqeverisje, dhe armikun e të gjitha forcave e individëve që ushtrojnë influencë, presion, terror, mbi liritë njerëzore e mbi shoqëritë ende të paçliruara prej regjimeve antidemokratike apo pushteteve hibridë kudo në botë. Kjo e vërtetë i ka bërë Shtetet e Bashkuara edhe mikun më të madh shpirtëror të shqiptarëve, kohë më parë sesa Ambasada Amerikane të riçelte dyert e saj në Tiranë njëzet vjet të shkuara, përvjetor që u kremtua para pak ditësh në një pritje të bukur të dhënë nga Ambasadori Arvizu, po dhe në aktivitete të tjera e në biseda të lira mes njerëzve të zakonshëm. Dalja në dritë e shumë fakteve rrënqethëse prej publikimit të kabllogrameve të Ambasadës Amerikane, shkak për të cilën u bë një pirateri e dënueshme dhe e dënuar me të drejtë botërisht nga shteti juaj, e ka pështjelluar opinionin publik shqiptar me të vërteta të njohura botërisht e fakte të paditura më parë. Por mbi të gjitha u ka dhënë gjithë shqiptarëve një provë të re, të qartë si drita e diellit, për vëmendjen e jashtëzakonshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj vendit tonë. Për seriozitetin mbresëlënës me të cilin shteti juaj vlerëson çdo detaj të problematikës së zhvillimeve në vendin tonë. Për shqetësimin e pandërprerë të shtetit tuaj që punët e vështira të demokratizimit të Shqipërisë të shkojnë përherë në drejtimin e duhur. Përvjetori i njëzetë i rihapjes së shumëpritur të dyerve të Ambasadës Amerikane në Shqipëri është momenti i duhur për të kujtuar me respekt Ju dhe të gjithë paraardhësit Tuaj në këto vite, njerëz energjikë e drejtpërdrejtë të përkushtuar për demokratizimin e vendit tonë, krah për krah me popullin shqiptar, pa të cilët Shqipëria s’do ia kishte dalë mbanë në shumë orë të vështira dhe as do ishte sot e ulur si anëtare në tryezën e Aleancës së madhe të Atlantikut të Veriut. Përkimi i këtij përvjetori me rastësinë jofatlume të daljes në dritë të gjithë atyre fakteve e provave shqetësuese, na vendos ne shqiptarëve, klasën politike shqiptare në radhë të parë, përpara përgjegjësisë së lartë për të parë e vlerësuar, me shumë seriozitet, mospërputhjen ende tejet të ndjeshme mes vlerave e parimeve demokratike që mishërojnë e promovojnë Shtetet e Bashkuara dhe asaj çka janë sot e gjithë ditën politika, institucionet, qeverisja e rendi ligjor në Shqipëri. Unë mbroj bindjen se ne s’mund ta kalojmë këtë moment vetëm duke deklaruar konsensualisht, me rastin e njëzetë vjetorit të rikthimit të trupit diplomatik amerikan në Tiranë, nderimin real dhe përkushtimin e plotë ndaj miqësisë strategjike që lidh të gjithë shqiptarët, pavarësisht përkatësive të këtushme politike, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por edhe duke menduar e punuar që të gjithë shumë seriozisht për të ndryshuar shumëçka nuk shkon dhe s’mund të vazhdojë më kështu si po vazhdon. Duke reflektuar thellë edhe mbi ato që u botuan, lexuan, komentuan e vazhdojnë të komentohen mes njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, si provat e të vërtetës së madhe se Shqipëria s’mundet të shkojë vërtet përpara pa u çliruar prej të këqijave zinxhir që e kanë penguar njëzet vjet me radhë. E sidomos në vitet e fundit, kur futja në NATO duhet të qe kthyer në cilësi të re demokratike të jetës së shqiptarëve, këto të këqija e kanë penguar të bëhet shteti i së drejtës që aspiruam kur shembëm murin e diktaturës më brutale të perandorisë komuniste; shteti i barazisë së të gjithë qytetarëve para ligjit dhe i mundësive të barabarta për çdo qytetar në hapësirën e lirë të konkurencës demokratike; shteti që mishëron në qenien e vet ato vlera e parime që e bëjnë Amerikën e dashur vendin e ëndrrave të mundshme të çdo njeriu të lirë dhe të zgjedhurit e saj përfaqësues të përulur të vullnetit sovran të qytetarëve të vet. Kujtoj më kënaqësi të veçantë ditën kur pas zgjedhjes emocionuese të Presidentit Obama, i cili përfshiu tërë botën në ethet e garës së tij fantastike drejt Shtëpisë së Bardhë, duke bërë të ëndërrojnë jo vetëm amerikanët po të gjithë ata që aspirojnë një botë ku ëndrrat e shpresat e askujt nuk janë të pamundura, Ju ftuat në një takim publik gjithë përfaqësuesit politikë të shqiptarëve. Ishte një takim i bukur sepse të gjithëve ne, partnerëve Tuaj në Shqipëri, na dhatë rastin të shprehim emocionet e atij triumfi demokratik në Shtetet e Bashkuara dhe të rinënvizojmë admirimin për fuqinë rrezatuese të demokracisë amerikane, si edhe përkushtimin tonë për forcimin e miqësisë që lidh pazgjidhshmërisht Shqipërinë me Amerikën. Por ishte njëkohësisht rasti për të dëgjuar prej jush si përfaqësues në Shqipëri i Presidentit të sapozgjedhur amerikan, domethënien e thellë të fjalës së inaugurimit të presidencës së tij, jo vetëm për amerikanët po për të gjithë ata qytetarë anembanë që tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës shohin, si edhe shqiptarët, udhëheqjen demokratike të botës, duke nënvizuar mes të tjerash edhe pasazhe kuptimplotë të asaj fjale ndër të cilët kujtoj “E u themi të gjithë njerëzve e qeverive që na shohin sot, nga kryeqytetet më të mëdha tek fshati i vogël ku u lind im atë, dijeni se Amerika është miku i çdo vendi dhe i çdo burri, gruaje e fëmije që synon një të ardhme me paqe e dinjitet… Ndërsa atyre që kapen pas pushtetit përmes korrupsionit e mashtrimit dhe mbylljes së gojëve të kundërshtisë, dijeni se jeni në anën e gabuar të historisë…”. Sot kur Shqipëria duhet të dalë nga udhëkryqi ku ju e latë në fund të shërbimit tuaj dhe kur pasardhësi tuaj po bën, bashkë me tërë komunitetin ndërkombëtar, të gjitha përpjekjet për ta ndihmuar drejt rrugëdaljes që të ecë me shpejtësinë që shqiptarët meritojnë drejt Bashkimit Europian, ne këtu jemi në vigjiljen e humbjes së përsëritur të provimit të Brukselit për statusin e vendit kandidat. Fund i hidhur i një tjetër viti shansesh e mundësish të humbura në një krizë që është njëkohësisht edhe një mundësi e jashtëzakonshme ndryshimi në drejtimin e duhur. Kjo mundësi s’duhet humbur, kjo krizë s’duhet as të zgjatet dhe as të mbetet pa hapur rrugën e ndryshimit të duhur, për të cilën ne kemi propozuar një pikënisje, një hap, një drejtim të përbashkët me disa stacione lehtësisht të arritshme, ku duhet të gjejmë mirëkuptimin e munguar në dobi të Shqipërisë e për të e të gjithë shqiptarëve. Të cilët meritojnë një përpjekje sinfonike të klasës politike për zgjedhje vërtet të lira e të ndershme; për një parlament funksional; për reforma shtetndërtuese me standardet e Bashkimit Europian; për institucione të pavarura; për një drejtësi të çliruar nga thonjtë e pushtetit e të korrupsionit dhe për lirinë e garantuar të gojëve të hapura të kundërshtisë. Si edhe po ashtu, për çlirimin e vetvetes nga cilido politikan që sot apo nesër, kërkon të kapet pas pushtetit përmes mashtrimit. Në këtë sens edhe çka u botua dhe komentohet mes shqiptarëve, prej konstatimeve e shqetësimeve shumë serioze të shtetit tuaj, meriton sipas nesh të adresohet politikisht, me një xhest publik të të gjithë të zgjedhurve shqiptarë, për të lehtësuar veten e popullin tonë nga barra e padurueshme e një fajësie që s’mundet në asnjë mënyrë të mbetet kolektive, ndërkohë që Shqipëria vuan triumfin e kulturës së pandëshkueshmërisë. Lejomëni i nderuar Ambasador të përfitoj nga rasti që më dha letra juaj kuptimplotë në adresë të shqiptarëve, për t’ju uruar nga zemra momentin e bukur festiv të njëzetë vjetorit të rihapjes së derës së Ambasadës Amerikane në Shqipëri dhe pranoni ju lutem i dashur mik i paharruar i shqiptarëve shprehjen e respektit tim më të lartë për gjithshka bëtë për të gjithë ne në vitet e punës suaj të palodhur për një Shqipëri më demokratike. Paçi shëndet e të gjithë lumturinë që meritoni në familjen tuaj. Sinqerisht si gjithmonë, Edi Rama

Letra e plotë e zotit Withers më 5 Tetor 2011: Të dashur miq, ka kaluar tashmë 1 vit që kur u largova nga shqipëria. Jeni ende në mendjen dhe kujtimet e mia për dashamirësinë e madhe që më keni dhënë dhe për përvojat e pasura që kemi bashkëndarë. Një pjesë e imja do qëndrojë gjithmonë në Shqipëri. Gjatë javëve të fundit në mediat tuaja janë shfaqur kabllograme të pretenduara të Departamentit të Shtetit, të zbuluara nëpërmjet Wikileaks. Ka pasur vazhdimisht spekulime lidhur me këto kabllograme; dhe, për fat të keq, një pjesë e madhe e këtyre spekulimeve ka qenë corientuese dhe të pasakta. Tani, ju shkruaj me shpresën për të sqaruar një numër keqperceptimesh që janë duke qarkulluar. Një gjë të tillë nuk e bëj më si ambasadori amerikan në Shqipëri, por si një nënshtetas i vendit tim. Por këtë e bëj edhe si një mik i Shqipërisë dhe si dikush që, sic e dini, beson tek e vërteta. Edhe përpara se të largohesha ka pasur sugjerime se unë paskam pasur një “axhendë personale” gjatë qëndrimit tim në Shqipëri. Eprorët e mi i kanë quajtur këto pohime si të gënjeshtërta dhe i kanë refuzuar ato kategorikisht në një komunikim zyrtar, i cili më pas u bë publik, me nivelet më të larta të qeverisë tuaj. I njëjti pretendim ka lindur sërish. Dhe prapë mbetet i pavërtetë. Ironikisht, asgjë nuk e provon këtë më qartë se sa vetë zbulimet e Wikileaks. Në mënyrë të pakundërshtueshme, ato tregojnë drejtpeshimin, paanshmërinë dhe objektivitetin e raportimit të ambasadës për Shqipërinë gjatë punës time atje. Të gjitha partitë, personazhet dhe veprimet politike i nënshtroheshin të njëjtit shqyrtim dhe ciltërsi. As edhe një vëzhgues i paanshëm nuk do të mund të arrinte në një përfundim të ndryshëm. Në fakt, raportimi nga ambasada jonë në Tiranë jo vetëm ka përmbushur standartet më të larta të Departamentit të Shtetit – kabllogramet tona merrnin vazhdimisht lëvdata në Uashington – por edhe ka qenë tërësisht në përputhje me të gjitha ambasadat anembanë botës. Edhe ambasadat e tjera, ashtu si ne, ofronin vlerësime të sinqerta të njerëzve dhe rrethanave në fushat e tyre të përgjegjësive. Sado trazuese apo të sikletshme mund të jenë ato vlerësime për ndokënd, e vërteta është se asnjë ambasadë amerikane apo ambasador amerikan nuk ka kurrfarë “axhendë private”. Ne jemi përfaqësuesit personalë të presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe i përkushtohemi vetëm shërbimit për interesat e popullit amerikan. Shqip dhe shkoqur, axhenda jonë është axhenda e tyre. Cilido që sugjeron ndryshe nuk dëmton dhe aq një individ si unë, por pikërisht postin e shquar që aq shumë amerikanë të zotë kanë pasur privilegjin të mbajnë, si dhe dëmton edhe më tej ata që na e kanë besuar neve atë post. Si një ish-diplomat po aq sa qytetar i vendit tim, jam thellësisht i keqardhur për fenomenin Wikileaks. Aftësia e diplomatëve për të folur haptas dhe në mirëbesim me njëri-tjetrin është dhe ka qenë një element thelbësor i profesionit tonë që nga fillimet e tij. Informacioni ynë, përfshirë atë mbi Shqipërinë, mblidhet nga një gamë e gjerë burimesh, përfshirë edhe nivelet më të larta të qeverisjes. Cfarëdo veprimi që cënon aftësinë e një diplomati për të bashkëndarë informacion në këtë mënyrë apo për të punuar me diplomatë të tjerë për të mirën e përbashkët, është një veprim i dënueshëm. Prandaj, teksa i lexoni materiale të tilla, sado të njollosura, ju nxis të mos hutoheni nga pohimet e ndryshme sensacionale, por në vend të kësaj të ngulni sytë në një fakt thelbësor dhe të pakundërshtueshëm që gjendet aty: AMBASADAT AMERIKANE thonë të vërtetën. Ky është dhe do të jetë parimi më i parë dhe më i lartë i diplomacisë amerikane. Sado i keq të jetë lajmi apo sado e sikletshme të jetë një rrethanë, një ambasadë amerikane raporton të vërtetën, edhe për një aleat të ngushtë si Shqipëria. Nëse zgjedhjet janë të dyshimta, ne e themi këtë. Nëse autoritetet qeveritare kërcënojnë pavarësinë e institucioneve demokratike të vendit dhe mediat, ne e themi këtë. Nëse besnikëria partiake pengon qeverisjen e vendit; nëse korrupsioni i kudogjendur minon zhvillimin e mirëfilltë ekonomik; nëse përparësia e udhëheqësve është të rendin me këmbëngulje drejt pushtetit, në vend që të rendin për t’i shërbyer popullit, ne e themi këtë. Dhe nëse parimet universale të demokracisë lihen mënjanë dhe vetë demokracia bën prapa, ne e themi këtë dhe do vazhdojmë ta themi derisa të fillojë përparimi i vërtetë. Kjo është detyra parësore e një diplomati amerikan dhe një detyrë e tillë do të përmbushet patjetër. Unë nuk jam më në shërbim të qeverisë, por një gjë e di: mund t’i besoni ambasadës amerikane.

Mund të mos ju pëlqejë cdo gjë që ajo thotë, por mund të keni besim që diplomatët tanë bëjnë cdo përpjekje për të arritur standartet më të larta të ndershmërisë dhe objektivitetit. Nuk ka material që rrjedh nga Wikileaks; nuk ka editorial, sado pasionant; nuk ka shfrime, sado të cjerra, që mund ta ndryshojë këtë. Në mbyllje, më lejoni t’ju uroj, miqtë e mi shqiptarë, gjithë sukseset dhe lumturinë e mundshme. Jeni një popull i vecantë dhe vendi juaj është një vend i vecantë. Ruaj admirim të madh për talentin tuaj të jashtëzakonshëm dhe kam shpresat më të larta të mundshme për të ardhmen tuaj. Ju dërgoj përshëndetjet më të përzemërta. Miku juaj, John L. Withers II. FUND

KOMENTE