Pejë, 8 tetor 2011, NOA – Situata në Veri të Kosovës e tensionuar pas vendosjes së barrikadave nga ekstremistët serbë duhet të zgjidhet me mjete politike dhe paqësore. Kështu deklaroi sot zëvendës/shefi i misionit EULEX, Endi Sparks, i cili ritheksoi se në veri të Kosovës duhet medoemos të vendoset rendi e të sundojë ligji. Sparks i bëri këto komente gjatë vizitës në qytetin Pejë ku bashkë me përfaqësuesin special të Zyrës Ndërkombëtare Civile në Kosovë, Piter Feith, mbërritën me tren në kuadër të turneut të trashëgimisë kulturore. Zëvendës/shefi i EULEX-it bëri me dije se zhbllokimi i rrugëve në veri të Kosovës kërkon zgjidhje të shpejtë që sipas tij duhet të vijë përpara se moti të përkeqësohet nga rënia e temperaturave në pritje të dimrit. Në këtë suazë, i pyetur nga mediat nëse ngjajnë barrikadat e vendosura në veri dhe sulmet e serbëve ndaj KFOR-it dhe EULEX-it, pak a shumë me Irlandën e Veriut, zëvendës shefi i EULEX-it, komentoi: “Nuk besoj ashtu. Në cilindo rast ne mund të shohim sikurse edhe në Irlandën Veriore, po ashtu edhe në Kosovë se çdo gjë mund të zgjidhet në mënyrë paqësore. Sot është shi, mot i ftohtë dhe mua me të vërtetë më vjen keq për njerëzit që qëndrojnë afër barrikadave. Unë mendoj se ata po frikësohen për të ardhmen e tyre, por them se ata nuk kanë pse të frikësohen për këtë gjë, sepse sundimi i ligjit do të funksionalizohet në çdo pjesë të Kosovës dhe ne mezi presim që ta vendosim ligjin edhe në veri”, tha Sparks. Ndërkohë shefi i ICO-s Piter Feith nënvizoi se vizita në Pejë është një mundësi e mirë për t’u njohur nga afër me trashëgiminë kulturore të Dukagjinit. “Është gjithmonë kënaqësi të jemi në Pejë. U kënaqëm me të vërtetë me udhëtimin me tren nga Prishtina në Pejë. Po ashtu, kjo na përkujton menjëherë se sa gjëra të mira ka në Kosovë, infrastruktura, zhvillimi i transportit po ashtu hamami i Pejës, kisha dhe pjesë tjera të trashëgimisë që duhet të ruhen”, u shpreh Piter Feith. BS/NOA
Në foton e parë: Zëvendës/shefi i EULEX-it, Andy Sparks Në foton e dytë: Piter Feith, Andy Sparks