Nga Mero Baze
E di që është pak makabre të mos i urosh dikujt jetën e gjatë, por në rastin e Ramiz Alisë, shqiptarët kanë të drejtë të shprehen për fatin e tij, pasi ai udhëhoqi një regjim që ndryshoi fatin e tyre, shpesh kundër dëshirës së tyre dhe të Zotit. Pati njerëz që nuk vdiqën në shtrat siç vdiq ai, por në burgje, pati të tjerë që vdiqën në telat me gjemba të kufijve tanë të mallkuar me Evropën, dhe të tjerë në shtëpitë e tyre pa prindër ose pa fëmijë. Ramiz Alia nuk ishte përgjegjës për gjithçka, por ishte pjesë e përgjegjësisë së madhe për krimet që një diktaturë apo regjim bën ndaj popullit të vet.
I mbetur në krye të regjimit në ditët e lëngatës së diktaturës, ai vlen të kujtohet si njeri që s’pati vullnet të bëjë gjëma të mëdha siç mund të kishte bërë Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Hysni Kapo apo kushdo tjetër nga njerëzit e vijës së ashpër të komunizmit. Unë e kam përjetuar si student zbutjen dhe shkërmoqjen e regjimit, kam përjetuar frymëmarrjen dhe puhizën që frynte herë pas here nga përpjekjet plot dyshim të tij, dhe në fund si gjithë brezi im kemi përjetuar 8 Dhjetorin dhe shpalljen e pluralizmit. Pas kësaj date, Ramiz Alia ishte thjesht një president në detyrë, një president protokollar, dhe falë këtij pozicioni regjimi këtu ra pa gjak, pasi askush nuk kishte kë të vriste në emër të pushtetit dhe askush nuk kishte në mendje hakmarrjen në emër të plagëve të diktaturës.
Është kjo arsyeja që unë kam sot një trazim jo njerëzor, kur them se Ramiz Alia u hakmor ndaj nesh duke jetuar më gjatë se duhej. Ai iku mënjane historisë, në lagjen e tij në periferi të Bllokut dhe rikthehej në politikë sa herë e thërriste me dhunë Sali Berisha, herë duke e çuar në gjyqe ku nuk vendosej drejtësi dhe herë duke ngritur për të komisione hetimore siç ishte turpi për Masakrën e Tivarit. Ne, sidomos brezi i ri i viteve ‘90-të, 20 vite pas shpalljes së pluralizmit, ndjehemi keq që Ramiz Alia ka parë çfarë gatuam këto 20 vjet. Ndjehemi keq që Zoti këtij njeriu i dha shëndet, dhe ai pa se si ne degraduam ëndrrën e shqiptarëve për të shkuar në Evropë, si degraduam parimet për të cilat dolën në rrugë studentët më 8 Dhjetor, si degraduam pluralizmin, lirinë e medies, drejtësinë, pronat që na kishte marrë dhe ruajtur regjimi komunist, dhe mbi të gjitha si degraduam dhe vetë historinë e komunizmit. Ramiz Alia vdiq pa shkruar asnjë të vërtetë për komunizmin, dhe kjo është tipike komuniste, por këta njerëz që na udhëheqin, që kanë qenë brezi i dytë i shërbëtorëve të komunizmit, po mbretërojnë duke qenë njëri në fotografi në varkë dhe dhomë me oxhak me fëmijët e Enver Hoxhës, tjetri mes Enverit e Ramizit e të tjerë në rresht pas tyre.
Por mbi të gjitha Ramiz Alia vdiq duke na parë se ndryshe nga ai, ne vramë 4 qytetarë që dolën të protestojnë për arsye politike me duar në xhepa para kryeministrisë. Pasardhësi i Ramiz Alisë në Presidencë, Sali Berisha, futi vendin në luftë civile në vitin 1997 për të mos dorëzuar pushtetin dhe falë fuqive perëndimore e dorëzoi atë mes anarkisë dhe dhunës, ndërsa i njëjti njeri, pra pasardhësi i Ramiz Alisë vrau katër qytetarë më 21 Janar të këtij viti vetëm pse ata protestuan para zyrës ë tij. Edhe pse makabre do të doja që ish Presidenti Ramiz Alia të mos jetonte kaq gjatë dhe të krahasonte veten e tij si komunisti i fundit demokrat, me demokratin e parë komunist të këtij vendi, Sali Berishën. Unë e besoj se Ramiz Alia është trishtuar kur ka parë që janë vrarë katër vetë, por seç kam një parandjenjë dhe me cinizëm ka kujtuar se ai dorëzoi një regjim të tërë diktatorial, përmbysi një simbol të tmerrshëm të saj në shesh siç ishte rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës dhe nuk vrau askënd. Ndërsa Sali Berisha vetëm se mijëra njerëz protestuan para zyrës së tij për varfërinë ku i ka katandisur rrëgjimi i tij, për pushtetin e Familjes së tij, për bëmat dhe gjëmat e vajzës dhe djalit të tij në biznese shpesh vdekjeprurëse, dhe ai nuk e mbajti dot veten, qëlloi dhe vrau. Nuk do të desha të jetonte kaq gjatë Ramiz Alia për gjithë turpet që ne kemi bërë këto 20 vite, që u premtuam shqiptarëve demokraci, shtet ligjor dhe ëndrrën tonë evropiane. Për fatin tonë të keq dhe fatin e tij të mirë ai jetoi dhe na pa se ç’bëmë pas tij. U hakmor ndaj nesh duke jetuar gjatë për të na lënë ta bëjmë vetë diferencën mes komunistit të fundit që lejoi demokracinë dhe “demokratit” të parë që po sillet si komunist me ëndrrën tonë për ta bërë Shqipërinë si Evropa. NOA