Korçë, 9 tetor 2011, NOA/ Albana Qehajaj - Gjatë vizitës së tij në qarkun e Korçës, Kryeministri Berisha është ndalur në Dardhë. Duke e konsideruar Dardhën një nga destinacionet më të bukura e piktoreske për t’u frekuentuar, kryeministri u takua dhe bashkëbisedoi me banorë dhe vizitorë që ndodheshin aty për të kaluar fundjavën. Për të zhvilluar këto zona dhe turizmin malor, Kryeministri ritheksoi qëndrimin e qeverisë për të mbështetur me iniciativa ligjore investimet në këto zona, duke i përjashtuar ato për 7-8 vjet nga të gjitha taksat. Lidhur më këtë, Kryeministri tha: “Dardha është një nga vendet malore më piktoreske e më të bukurat të Shqipërisë, është një nga zonat më të frekuentuara, më të dëshiruara për qytetarët e Korçës, por që gradualisht po bëhet e njohur në Shqipëri e mbarë botën. Një rëndësi shumë të madhe ka që Dardha e të gjitha simotrat e saj të shumta malore, Gjinari, Çajupi, Qafë Shtama, Voskopoja, Valbona, Thethi të shpallen zona të lira pa taksa për 7 vjet, në mënyrë që investitorët të kenë një siguri për nxjerrjen e investimeve të rëndësishme që bëjnë”. Kryeministri tha se, gjithnjë mbetet problemi i traditës së frekuentimit të zonave malore. “Ndaj qeveria shumë shpejt do të kalojë një ligj, sipas të cilit, çdo investim për qëllime turistike në zonë malore do të jetë për 7 deri në 8 vjet i përjashtuar nga të gjitha taksat. Kjo është një mënyrë për të nxitur e stimuluar zhvillimin e tyre. Të mos harrojmë se pas përfundimit të rrugës Tiranë-Elbasan dhe rrugës Qafë Plloçë-Qukës, Dardha, në lartësinë 1600 metra, do mund të arrihet nga Tirana në një kohë përafërsisht 2 orë - 2 orë e 15 minuta. Po kështu edhe zona të tjera”, deklaroi kryeministri Berisha. a.q/NOA