Prishtinë, 9 tetor 2011, NOA - Me ftesë të ministrave të Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Kuvajtit dhe Katarit, ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj është nisur për një vizitë zyrtare në këto tre shtete. Siç njofton zyra e tij, ministri Hoxhaj, përveç takimeve me tre homologët, do të zhvilloj edhe vizita dhe takime me përfaqësues të tjerë të lartë të institucioneve të tyre, si dhe me diplomatë të shteteve të tjera të akredituara. Gjatë takimeve mes Ministrit Hoxhaj dhe ministrave të jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Katarit dhe Kuvajtit do të bisedohet për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, kulturor dhe arsimor mes Kosovës dhe këtyre tre shteteve mike, si dhe për procesin e forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, thuhet në njoftim. Kurse qëllimi kryesor i vizitave te këto vende, thuhet të jetë diskutimi për kontributin e këtyre shteteve për avancimin e mëtejshëm dhe përmbylljen sa më të shpejtë të procesit të njohjes së shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës. a.q/NOA