Shkodër, 9 tetor 2011, NOA- Këshilli Studentor i Universitetit të Shkodrës me rastin e fillimit të vitit të ri akademik ditën e nesërme ka uruar studentët për një vit të mbarë. Nëpërmjet një deklarate për mediat kërkohet nga ana e studentëve në Universitetin e Shkodrës që të shtohet edhe kontributi i tyre për përmirësimin e imazhit të Universitetit «Luigj Gurakuqi». Këshilli Studentor në këtë vit të ri akademik 2011-2012 shpreson që të ketë një ulje të nivelit të korrupsionit në arsim, duke ftuar studentët, por edhe pedagogët të bëhen të përgjegjshëm në denoncimin e rasteve abuzive, të cilat veçse ndotin jetën akademike dhe shoqërinë në përgjithësi. “Kombi nuk mund të ketë alternativë tjetër veçse të bazojë hapat e tij mbi dijen. Prandaj, ne kërkojmë nga mbi 12 000 studentët tanë që të jenë më të ndërgjegjshëm në arritjen e rezultateve të tyre në studime. Duke ju uruar suksese që të gjithë atyre që kontribuojnë në ngritjen e vlerave të një arsimi modern, e mbyllim këtë deklaratë me shprehjen drejtuar studentëve: «Në vend që të shisni dituri dhe zotësi, përpiquni t'i fitoni ato»”, mbyllet deklarata e Këshillit Studentor të Universitetit të Shkodrës. a.y/NOA