English

Lamtumira për Ramiz Alinë, ish presidentin e parë të Shqipërisë pluraliste

Tiranë, 9 tetor 2011,NOA/ Albana Qehajaj – Megjithë polemikat e shumta, Ramiz Alia u përcoll këtë të dielë për në banesën e fundit si një ish president i Shqipërisë. Në ceremoninë zyrtare të zhvilluar për 1 orë në Shtëpinë Qëndrore të Ushtrisë, munguan të shtënat e armëve, banda e nderit dhe truproja.

Homazhe për nder të ish-presidentit Ramiz Alia kanë zhvilluar ish-kryeministri i Shqipërisë Fatos Nano, kreu i LSI-së Ilir Meta, kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi, një prej figurave historike të PS-së, Sërvet Pëllumbi, deputeti Namik Dokle, politikani Pëllumb Xhufi, ndërsa nuk kanë marrë pjesë drejtues të lartë të shtetit shqiptar.

Në fjalën e tij ish-kryeministri Nano vlerësoi ish-presidentin Alia për kontributin për etapat e rëndësishme deri në institucionalizimin e demokracisë. “Besoj se është në respekt të një epoke historike, e cila ka pasur protagonistët e saj. Shpreh respektin për kontributin që ka dhënë në luftën antifashiste. Në rastin e homazheve duhet të shpreh vlerësimin tim për figurën e Alisë që ka dhënë në etapa të rëndësishme të historisë kombëtare, deri në institucionalizimin e pluralizmit politik.” theksoi Nano.

Ndërsa kreu i LSI-së Ilir Meta duke vlerësuar figurën e Alisë në luftën antifashiste theksoi se ai ishte presidenti i parë i Shqipërisë pluraliste që dha dorëheqjen pas humbjes së partisë së tij në zgjedhje. “Mendoj se nderimin më të mirë për çdo figurë politike e bën historia. Dua të vlerësoj figurën e zotit Alia si një figurë e shquar e luftës antifashiste, dhe për përpjekjet e tij për mirëkuptuar aq sa mundej pluralizmin politik. Në fund të fundit është presidenti i parë i Shqipërisë pluraliste, i pari personalitet politik që jep dorëheqjen pasi partia e tij humb zgjedhjet" ka theksuar Meta.

Ramiz Alia ka lindur më 18 tetor 1925 në Shkodër, u arsimua në Rusi dhe prej 70 vitesh jetonte në Tiranë. Në 86 vjetët ë jetës së tij, Alia jetoi Luftën Antifashiste si partizan, të sistemit komunist si kuadro i Partisë e deri në udhëheqës i gjithë sistemit, si dhe atë të demokracisë, si President i parë pluralist i vendit. Detyrat më të rëndësishme të Ramiz Alisë kanë qenë, ajo e sekretar të Parë të KQBRPSH (1949-1955), ministër i Arsimit dhe Kulturës (1955-1958), anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i KQ PPSH-së për ideologjinë (1961-1985), deputet, kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor (1982-1990), sekretar i Parë i KQ të PPSH-së (1985-1991) dhe kryetar i Këshillit Presidencial (1991). Për nëntë vite, nga 1982 deri më 1991 ka mbajtur funksionin e kryetarit të shtetit në regjimin komunist. Në këto vite posti i presidentit funksiononte si organ kolegjial dhe quhej Presidium i Kuvendit Popullor. Alia e mori këtë post pas Haxhi Lleshit. Ramiz Alia ndërroi jetë mëngjesin e së premte në spitalin e Senatoriumit në kryeqytet. Sipas mjekëve ai vuante prej kohësh nga trenboembolia pulmonare. a.q/NOA

KOMENTE