English

Nano dhe Meta nderojnë ish-Presidentin komunist: Ramiz Alia kontribut për pluralizmin

Tiranë, 8 tetor 2011, NOA Update – Lamtumirën e fundit ish-liderit të fundit komunist, njëherësh ish-Presidentit të parë të Shqipërisë pluraliste Ramiz Alia ia kanë dhënë edhe dy nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, ish-lideri historik i të majtës dhe ish-kryeministri socialist Fatos Nano si dhe ish-zëvendëskryeministri dhe kreu i LSI-së Ilir Meta. Dy ish-kryeministrat kanë mbërritur thuajse në të njëjtin moment në mjediset e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë për të zhvilluar homazhe pranë trupit të pajetë të ish-Presidentit Alia duke e nderuar atë përpara përcjelljes për në banesën e fundit. Por, ndryshe nga ish-ministri i Brendshëm Gramoz Ruçi në kohën kur Ramiz Alia ishte President, dy ish-kryeministrat socialistë kanë dhënë edhe nga një mesazh të shkurtër për mediat duke nderuar kujtimin e ish-Presidentit komunist si një nga protagonistët e historisë së Shqipërisë. Ish-lideri historik i Partisë Socialiste Fatos Nano vlerësoi figurën e ish-Presidentit Ramiz Alia për kontributin e tij në Luftën Antifashiste. “Besoj se është në respekt të një epoke historike, dhe protagonistëve të saj. Shpreh respektin tim për kontributin që ka dhënë në luftën antifashiste. Duhet të shpreh nderimin tim për figurën e Alisë dhe kontributin që ka dhënë në etapa të rëndësishme të historisë kombëtare, deri në institucionalizimin e pluralizmit politik”, u shpreh Fatos Nano pas homazheve. Ndërsa, ish-zëvendëskryeministri dhe kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, i cili vajti për ngushëllime edhe një ditë më parë në shtëpinë e Ramiz Alisë, theksoi se nderimin më të mirë për çdo figurë politike e bën historia. “Dua të vlerësoj figurën e zotit Alia si një figurë e shquar e luftës antifashiste, dhe për përpjekjet e tij për të mirëkuptuar aq sa mundej pluralizmin politik. Në fund të fundit është Presidenti i parë i Shqipërisë pluraliste, i pari personalitet politik që dha dorëheqjen pasi partia e tij humbi zgjedhjet”, deklaroi Meta për mediat. Nuk munguan në homazhe eksponentë të tjerë të Partisë Socialiste, si Servet Pëllumbi, Gramoz Ruçi e Namik Dokle, dy të fundit madje nuk lëshuan as ndonjë mesazh nderimi për ish-Presidentin edhe pse kanë qenë bashkëpunëtorë të ngushtë të tij. Gjithashtu ish-liderin e fundit komunist e nderuan edhe qytetarë të thjeshtë e besnikë të regjimit, por deri më tani nuk ka patur asnjë mesazh ngushëllimi nga autoritetet e larta të vendit. Në këto momente pas plot 60 minutash homazhet për nder të ish-Presidentit komunist Ramiz Alia kanë përfunduar. Ish-Presidenti Ramiz Alia vuante prej kohësh nga komplikacione të ndryshme në mushkëri. Mëngjesin e të premtes ai mbylli sytë përjetë në reanimacionin e spitalit të Tiranës, pas një tromboze në mushkëri në moshën 86-vjeçare. Amaneti i fundit i ish-Presidentit të parë të Shqipërisë pluraliste ishte të varrosej në një varr të përbashkët me gruan e tij Semiramiz, dëshirë kjo që do të vihet në vend nga tre fëmijët e tij, djali dhe dy vajzat. Kortezhi mortor me trupin e ish-Presidentit po niset tashmë drejt varrezave të Sharrës ku ish-lideri i fundit komunist do të prehet përjetë. mit/NOA

KOMENTE