English

Sot lamtumirë ish-udhëheqësit të fundit komunist, Ramiz Alia

Tiranë, 9 tetor 2011, NOA – Me një ceremoni zyrtare, pa të shtëna armësh dhe pa bandë nderi e truprojë këtë të diel do t’i jepet lamtumira e fundit ish-Sekretarit të parë të Partisë së Punës, udhëheqësit të fundit të regjimit monist njëherësh Kryetarit të parë të Shtetit shqiptar pas rrëzimit të diktaturës në vitin 1990-1991 dhe ndërrimit të sistemit. Ceremonia mortore për nder të Ramiz Alisë do të nisë në orën 10.00 dhe do të vijojë përgjatë një ore në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë. Ish-Presidenti Alia vdiq mëngjesin e të premtes në moshën 86-vjeçare. I vetmi politikan që ka shkuar për ngushëllim në shtëpinë e tij ishte ish-zëvendëskryeministri dhe kreu i LSI-së Ilir Meta, i cili njihet si një nga anëtarët themelues të Partisë Socialiste që u shkëput si forcë e re politike nga Partia mëmë e Punës. Partia Socialiste nuk ka dalë ende me asnjë deklaratë apo prononcim për ndarjen nga jeta të ish-liderit të fundit komunist, edhe pse shumë prej anëtarëve të saj i detyrohen Ramiz Alisë për mbështetjen e marrë në krye të herës, kur kjo forcë e re politike mori jetë pas rënies së diktaturës. Gazeta “Panorama” e kësaj të diele citon familjarët e Ramiz Alisë, të cilët e cilësojnë një turp heshtjen e Partisë Socialiste në këtë ditë. Ndërkohë një tjetër e përditshme shkruan se në ceremoninë mortore të Ramiz Alisë nuk do të marrin pjesë Nexhmije Hoxha dhe Vito Kapo. Nuk dihet ende nëse ndonjë përfaqësues i lartë i shtetit do ta nderojë ish-liderin e fundit komunist, qoftë edhe për kortezi, në ditën e lamtumirës nga të gjallët. Pas ceremonisë dhe homazheve në hollin e Shtëpisë së Ushtrisë kortezhi mortor me trupin e ish-udhëheqësit komunist do të niset për në varrezat e Sharrës. Amaneti i fundit i ish-Presidentit Alia ishte ta varrosnin në të njëjtin varr me bashkëshorten e tij Semiramiz Alia. mit/NOA

KOMENTE