Tiranë, 10 tetor 2011, NOA/ Albana Qehajaj – Pak muaj pas marrjes zyrtare të detyrës së re, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka inauguruar edhe projektin e parë, rikonstruksionin total të rrugës së këmbësorëve, e cila kalon pranë zonës muzeale të kalasë së Tiranës. Projekti, i nisur gjatë mandatit të paraardhësit socialist, Edi Rama, ka njohur inaugurimin zyrtar gjatë mandatit të parë të Bashës, i cili shoqërohej në këtë ceremoni nga ambasadori i BE-së, Sekiu dhe ministri i kulturës, Bumçi.
“Me ndihmën bujare të Bashkimit Europian, taksapaguesve europianë, të inxhinierëve dhe arkitektëve europianë dhe me dedikimin e stafit të Bashkisë së Tiranës, të Ministrisë së Kulturës, të profesionistëve këtu në Tiranë, ne jemi sot dëshmitarë të rehabilitimit të një prej rrugëve më të vjetra dhe më historike të Tiranës, rruga “Murat Toptani”. Ky është një inagurim pa risk, pasi prej disa muajsh qytetarët e Tiranës e kanë provuar, shijuar dhe e kanë aprovuar plotësisht ndërtimin e kësaj rruge me kapacitetet më bashkëkohore që mund të imangjinohen, por ashtu si në gjithë procesin e integrimit europian të vendit, pyetja që shtrohet është: A është ky një standart i arritur vetëm njëherë, apo një standart i përhershëm në qytetin tonë?!”, deklaroi kryebashkiaku Basha.
Ai nuk harroi edhe një projekt të madh të bashkisë së drejtuar prej tij. “100 metra më tej, po zhvillohen me shpejtësi punimet për rehabilitimin e sheshit “Skënderbej”. Pas disa ditësh, ne do të hapim konkurimin për zgjerimin e arteries kryesore të qytetit, në fakt zgjatimin e bulevardit kryesor të qytetit, nga Stacioni aktual i Trenit, deri në rezervuarin aktual të Paskuqanit. Po kështu, ne do të lançojmë me miratimin e Këshillit Bashkiak, brenda javës së parë të nëntorit, tenderin teknik për segmentin e Unazës nga Shkolla Teknologjike, tek Qendra “Kristal”. Së shpejti, do të bëjmë të ditur edhe datën e hapjes së tenderit për dizajnin teknik të Tramit të Tiranës. Sfidat janë të mëdha, por pokështu janë edhe oportunitetet”, tha Basha.
Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ambasadori Etore Sekui vuri në dukje jo vetëm nevojën por edhe mundësinë reale të pajtimit të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë me ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore. Ai vërejti se rindërtimi i hapësirave historike duhet të qaset nga një këndvështrim socio-ekonomik si në zonat urbane edhe në ato rurale, duke i bërë kështu këto hapësira më të njohura dhe më të depërtueshme. "Lehtësimi i eksesit i fton njerëzit të mblidhen, dhe kjo si rrjedhojë fton bizneset të lulëzojnë. Për Bashkimin Evropian është inkurajues përkushtimi afatgjatë për ruajtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të hapësirave historike i vërejtur të simbolizuara me këtë rrugë", tha Sekui.
Bashkimi Evropian ka mbështetur me €2 milionë Euro rindërtimin e zonës këmbësore që shtrihet përgjatë kalasë mesjetare të Tiranës, Kuvendit të Shqipërisë e Urës së Tabakëve. Punimet për këtë rrugë kanë filluar që më 2009. Rindërtimi i zonës zyrtarisht ka qënë pjesë e një projekti më të gjërë ndihme i Bashkimit Evropian financuar me € 3.5 milionë euro nga xhepat e taksapaguesve evropiane, nëpërmjet të cilës po realizohen edhe punime të ngjashme në Himarë dhe Krujë. Rindërtimi i zonës, financuar nga BE, përfundoi këtë verë, pak përpara zgjedhjeve vendore të 8 Majit. a.q/NOA